Vizita në Fakultetin Filozofik: Debatet dhe ballafaqimi i ideve janë në interes të UP-së drejt rrugës së përbashkët përpara

06 Mars 2025
SHARE

Rektori Arben Hajrullahu, bashkë me prorektorët Majlinda Gjelaj, Rozafa Basha e Avni Hajdari realizuan një vizitë dhe takim pune me drejtuesit e Fakultetit Filozofik, të prirë nga dekani Bekim Baliqi.

Rektori Hajrullahu, duke qenë se ndodhej në ambientet e fakultetit edhe të shkencave humane, ku gjithçka diskutohet e argumentohet, para se të gjendet rruga më e mirë e mundshme në situatat e dhëna, rikujtoi se krejt zhvillimi historik dhe të arriturat njerëzore janë të lidhura me debatin dhe ballafaqimin e ideve.

Ai tregoi domosdoshmërinë e digjitalizimit të të gjitha proceseve në UP, në mënyrë që gradualisht të largohet letra nga përdorimi dhe kështu të rritet efikasiteti e ruhet edhe ambienti, ndërsa nënvizoi se inteligjenca artificiale tashmë është realitet dhe duhet të mirëpërdoret gjatë kryerjes së punëve.

Në takim, ku morën pjesë edhe prodekanët dhe profesorët e Filozofikut, Arsim Sinani, Gëzim Selaci e Bardhok Bashota dhe sekretari Jeton Hyseni, u shtrua si çështje që kërkon zgjidhje, nevoja e këtij fakulteti për studime të doktoratës.

Sipas drejtuesve të Fakultetit Filozofik është paraparë edhe një vlerësim i të gjitha programeve të studimit në të dy nivelet, në mënyrë që të krijohet një bazë e të dhënave, e cila do të japë mundësi për të shikuar se si e nga të ecet tutje. Në këtë vazhdë, zhvillimi i programeve të reja edhe intra- dhe multidisiplinare, sidomos në nivelin e doktoratave, u identifikua si nevojë e domosdoshme për zhvillimin e mëtutjeshëm.

Nga takimi doli përfundimi se me përmirësim të vazhdueshëm të organizimit të brendshëm, secila nga njësitë akademike dhe vetë UP-ja, mund të dalin gjithnjë e më mirë.

Fakulteti Filozofik është fakulteti më i vjetër i Universitetit të Prishtinës që më 30 tetor 2025 feston 65 vjet të themelimit. Me takimet edhe në këtë fakultet, menaxhmenti i UP-së me në krye rektorin Hajrullahu, përmbylli ciklin e vizitave të para të rregullta në të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës.