Në Departamentin e Kimisë propozohen ditë të hapura për promovim të UP-së

06 Mars 2025
SHARE

Gjatë vizitës së rektorit Arben Hajrullahu dhe prorektorëve Rozafa Basha e Avni Hajdari në Departamentin e Kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, udhëheqësja e këtij departamenti, Sevdije Govori, propozoi ditë të hapura për maturantët, që ata të njihen me mundësitë e studimit në këtë departament dhe Universitetin e Prishtinës.

Në takim, rektori Hajrullahu dhe prorektorët Basha e Hajdari, nga nikoqirja e tyre morën informata për sfidat, problemet dhe rezultatet e Departamentit të Kimisë. Profesoresha Govori deklaroi se tash ka më shumë pajisje laboratorike se më parë, ndërsa shtoi se mbetet vetëm të punohet përditë e më shumë.

Rektori Hajrullahu, në njërën nga sallat e mësimit të Departamentit të Kimisë, u tha studentëve, se janë me fat që marrin dije nga shumë profesorë që kanë njohuri të dëshmuara ndërkombëtarisht për lëndët që ligjërojnë.

Pastaj u vizituan laboratorë të ndryshëm, ku profesorët-ekspertë, por edhe studentët, bëjnë hulumtime e analiza që janë edhe në shërbim të vendit, siç është rasti, për shembull, me identifimin e ndotësve të ambientit. Në njërin nga ta, kryente punët e përditshme edhe profesori Avni Berisha që ka hyrë në mesin e 2 për qind të shkencëtarëve më të cituar në botë për vitin 2024.

Personeli akademik, administrativ dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore pritet të dalin në objektin e ri, i cili është në përfundim e sipër.