Universiteti i Prishtinës, partner në Programin e Mentorimit për Liderët e Ardhshëm

25 Shkurt 2025
SHARE

Universiteti i Prishtinës është pjesë e Programit të Mentorimit për Liderët e Ardhshëm, një iniciativë e mbështetur nga UNMIK-u, e zhvilluar nga UN Women Kosova dhe e realizuar në bashkëpunim me UP-në.

Ky program është një hap i rëndësishëm për forcimin e lidershipit të grave në Kosovë, nëpërmjet krijimit të urave mes lidereve të reja në zhvillim dhe profesionisteve të suksesshme në fusha të ndryshme.

Ngjarja e hapjes mblodhi së bashku një audiencë të shquar të përbërë nga akademikë, diplomatë, përfaqësues të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, mentorë dhe studentë, të gjithë të përkushtuar për fuqizimin e grave dhe nxitjen e një lidershipi të barabartë.

Dy prorektoret dhe profesoreshat e Universitetit të Prishtinës, Majlinda Gjelaj dhe Albana Berisha-Qehaja, ofruan mbështetjen e tyre të plotë për këtë nismë, duke dëshmuar përkushtimin e UP-së ndaj avancimit të grave në pozita udhëheqëse. Programi brenda UP-së u koordinua nga  profesoresha Arta Basha-Jakupi, një zë i fuqishëm në promovimin e mentorimit dhe zhvillimit të lidershipit të grave.

Ekipi i UN Women Kosova, i udhëhequr nga Vlora Tuzi-Nushi, së bashku me partnerët kyçë  institucionalë, punoi shumë për të sjellë në jetë këtë iniciativë, duke krijuar një program që synon mentorimin, fuqizimin dhe zhvillimin profesional të grave të reja në Kosovë.

Programi i Mentorimit për Liderët e Ardhshëm është krijuar për të ofruar mbështetje, udhëzim dhe frymëzim për studentet e reja nga Universiteti i Prishtinës, duke i lidhur ato me mentore të shquara – gra që kanë arritur sukses në drejtësi, diplomaci, biznes, teknologji, akademi dhe fusha të tjera kyçe.

Synimi i programit është që 25 mentore që tashmë janë të dëshmuara profesionalisht, të udhëheqin e ndihmojnë 25 studente të Universitetit të Prishtinës për të zhvilluar një karrierë të suksesshme e me rezultate të larta. Mentoret duhet t’ua përçojnë njohuritë e tyre dhe t’u sigurojnë njohje të reja studenteve, në mënyrë që studentet të nisin me besim karrierat e tyre prej lideresh të ardhshme.

Gjithashtu, programi dëshiron të nxisë një kulturë mentorimi ku gratë profesioniste investojnë në gjeneratën e ardhshme për të bërë një transformim të qëndrueshëm në përfaqësimin e grave në lidership.

Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar për të nxitur mentorimin, fuqizimin dhe udhëheqjen – jo vetëm brenda kësaj nisme, por si një mision të vazhdueshëm për të krijuar një peizazh lidershipi më gjithëpërfshirës dhe të larmishëm.