UP-ja përuron „Laboratorin e Gazetarisë Mobile & UPpodcast”, financuar nga „Tayna Foundation”

20 Shkurt 2025
SHARE

Në Universitetin e Prishtinës është inauguruar sot laboratori më i ri “Mobile Journalism & UPpodcast”, një investim prej mbi 25 mijë eurosh nga Fondacioni “Tayna”. Ky laborator modern synon të ndihmojë studentët në zhvillimin e aftësive të tyre në gazetarinë mobile dhe podcast, duke ofruar në shërbim të studentëve pajisjet e teknologjisë më të re.

Në ceremoninë e inaugurimit, prorektori i Universitetit të Prishtinës, Avni Hajdari, shprehu falënderimin institucional për këtë nismë dhe në emër të UP-së i ndau mirënjohje donatores për investimin e bërë.

„Jemi falënderues për këtë investim, i cili do të krijojë kushte më të mira pune për profesorët në mësimdhënie dhe do të lehtësojë procesin e të mësuarit për studentët. Kontributi i artistes Tayna është një shembull frymëzues për t’u ndjekur edhe nga të tjerët”. tha Hajdari. Ai shtoi që ky donacion shënon rastin e parë të mbështetjes së një institucioni nga një personalitet publik, duke hapur rrugën për kontribut të artistëve në shoqëri dhe komunitet, përtej artit të tyre.

Ndërkaq, drejtoresha e Fondacionit „Tayna”, Doruntina Shala, theksoi përkushtimin e saj për të mbështetur të rinjtë dhe arsimin e tyre. „Tek unë, do t’i keni gjithmonë dyert e hapura, sepse unë besoj që çdo kontribut në arsim dhe në realizimin e pasioneve tuaja, do të bëjë jehonë përtej mureve të këtij universiteti”, theksoi Shala. Ajo falënderoi stafin akademik të UP-së për hapësirën e dhënë dhe partneritetin në realizimin e këtij projekti.

Përurimin e laboratorit e përshëndetën edhe dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdullah Rexhepi, shefi i Departamentit të Gazetarisë, Muhamet Jahiri, si dhe nënkryetarja e Parlamentit Studentor, Blerta Zeqiraj.

„Laboratori i gazetarisë mobile & Uppodcast” do të ndihmojë studentët në praktikimin e formave më të reja të gazetarisë që po zhvillohen kudo në botë, me teknologjinë më bashkëkohore. Ky laborator pritet të sjellë ndryshime pozitive në përgatitjen profesionale të studentëve dhe të inkurajojë më shumë bashkëpunime mes personaliteteve publike dhe institucioneve arsimore.