Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Karin Boven, me rektorin e Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu, folën për bashkëpunimet e mëtutjeshme mes universiteteve dhe dy shteteve.
Në takim mori pjesë edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, ndërsa ambasadorja holandeze erdhi e shoqëruar edhe nga zyrtarja e lartë për sundim të ligjit në këtë ambasadë, Venera Ramaj.
Rektori Hajrullahu i tregoi ambasadores së Holandës, se Universiteti i Prishtinës është i renditur më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të hapësirës gjeografike ku jetojnë shqiptarët, duke kujtuar edhe rolin e madh që ky institucion pati në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Ta udhëheqësh një institucion të tillë, është radhë të parë, përgjegjësi, shpjegoi rektori, ndërsa prorektorja Rozafa Basha, përmendi institucionet holandeze të arsimit të lartë me të cilat tashmë bashkëpunon Universiteti i Prishtinës.
E befasuar nga gjithë këto bashkëpunime me universitete të shtetit të saj, ambasadorja Boven, tha se kjo është një gjë shumë e mirë për Universitetin e Prishtinës.
Ambasadorja erdhi në Rektorat, një ditë pasi UP-ja nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara Saxion të Holandës.