Një delegacion i Universitetit të Shkencave të Aplikuara Saxion të Holandës erdhi në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për të nënshkruar memorandum mirëkuptimi me UP-në.
Delegacioni i universitetit holandez u prit nga rektori Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha.
Para se të nënshkruhej memorandumi, të dy palët thanë se mezi presin ta nisin bashkëpunimin konkret në fushat e interesimit të dyanshëm.
Rektori Hajrullahu përmendi ndihmën që mund të ofrojë Universiteti Saxion për shkollimin e mamive të Kosovës, procesin e digjitalizimit dhe lidhjen e studimeve me tregun e punës, ndërsa Janko Bonnink, drejtori i Zyrës Ndërkombëtare për Arsim dhe Mbështetje Studentore në universitetin holandez, propozoi bashkëpunim të UP-së me Qendrën për Ndërmarrësi të Universitetit Saxion.
Kjo qendër, sipas Janko Bonnink-ut, është ndër më të suksesshmet në universitet, ndërsa u ndihmon ndërmarrësve të rinj dhe studentëve me shpirt sipërmarrësi, për të bërë hapat e parë në biznes.
Pastaj, memorandumi u nënshkrua nga rektori Arben Hajrullahu dhe drejtori Janko Bonnink.
Universiteti i Shkencave të Aplikuara Saxion është universiteti më i mirë i pjesës lindore të Holandës dhe njëri nga institucionet më të mëdha të arsimit të lartë në këtë shtet, me 27 mijë studentë.