Ndërtohet prototipi „Ventilatori Mekanik” — Universiteti i Prishtinës ndihmon shëndetësinë

09 Janar 2025
SHARE

Një protopip i ventilatorit mekanik, pajisje mjekësore që ndihmon frymëmarrjen duke dërguar ajër në mushkri dhe nxjerrë prej tyre dyoksidin e karbonit, është krijuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës.

Prototipi i ventilatorit është realizuar nga studenti i diplomuar në studimet master të Departamentit të Mekatronikës të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, Petrit Abdyli dhe profesori i këtij fakulteti, Arbnor Pajaziti.

Ventilatori unik, i krijuar në laboratorët e FIM-it, është vazhdimi i punës së studentit Abdyli dhe temë e diplomës së tij që lidhej pikërisht me programimin dhe lidhjen e sensorëve dhe aktuatorëve në prototipin e ventilatorit mekanik.

Kjo pajisje, shumë e rëndësishme gjatë intervenimeve kirurgjike dhe për personat me frymëmarrje të vështirësuar, bën lidhjen mes fushës së mekatronikës dhe mjekësisë dhe tregon se Universiteti i Prishtinës dhe njësitë akademike të tij janë në hap me zhvillimet teknologjike të kohës dhe inovacionin.

Projekti i financuar nga BE-ja dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës nisi si ide në kohën e virusit Covid 2019 kur mësimi mbahej online dhe kishte shumë nevojë për pajisje të tilla.