Profesori Koser: Qëllimi i universiteteve është dialogu

19 Dhjetor 2024
SHARE

Në një ligjëratë të mbajtur para studentëve të Fakultetit Filozofik, profesori Khalid Koser, drejtor ekzekutiv i Global Community Engagement and Resilience Fund, tha se qëllimi i universiteteve është dialogu i hapur e i sinqertë për çështje komplekse me grupe të ndryshme shoqërore.

Koser që ligjëron për konflikt, paqe e siguri në Universitetin e Mastrihtit në Holandë, tregoi pikëpamjet e tij se si duhet të krijohen shoqëri më të sigurta nga ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi.

Çështjet janë më komplekse, sqaroi profesori Koser, nuk mund të jesh terrorist as kriminel, vetëm pse je i varfër. Ai deklaroi se Kosova është shembull që duhet ndjekur nga shtetet tjera për riintegrimin e personave që u përfshinë nëpër luftëra të huaja dhe organizata terroriste.

Sipas Khalid Koser-it, Kosova ia doli edhe në vitin 1999, kur menjëherë pas luftës arritën të kthehen thuajse të gjithë refugjatët.

Ligjëratën e profesorit Koser e ndoqën edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik Rozafa Basha, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, organizatës Community Development Fund (CDF) dhe profesorë e drejtues të Fakultetit Filozofik.