Në një takim me drejtorin menaxhues të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), ambasadorin Friedrich Stift, rektori Arben Hajrullahu falënderoi shtetin austriak për ndihmën e vazhdueshme që prej shumë kohësh po i jep Universitetit të Prishtinës dhe Kosovës.
Ambasadori Stift që po qëndron në Kosovë për shënimin e 25 vjetorit të veprimit në vendin tonë të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC), tha se Austria e ka trajtuar Kosovën me prioritet.
Friedrich Stift, drejtori menaxhues i Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), organizatës që zbaton projektet e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC), e quajti Kosovën një histori suksesi.
Rektori Hajrullahu, duke folur për projektet austriake që i ndihmojnë Universitetit të Prishtinës, tha se investimet e këtij shteti në arsimin e lartë janë të mira dhe shpaguhen.
Bashkë me drejtorin Stift në takimin në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës erdhën edhe Rita Glavitza, shefe e Zyrës së Agjencisë Austriake për Zhvillim në Kosovë dhe Adnan Ahmeti, menaxher për portfolion e arsimit në të njëjtën zyrë.
Rektori Hajrullahu, mysafirët i priti bashkë me prorektorin për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion Avni Hajdari dhe këshilltaren ligjore Rina Mehana.
Ndihma austriake për Universitetin e Prishtinës dhe shtetin e Kosovës është e madhe dhe e vazhdueshme.
Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) është duke e financuar projektin „Enabling Income Generation for the Poor” (EnInGeP), qëllimi kryesor i të cilit është zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit privat për të krijuar vende të punës dhe fitim të të ardhurave për të varfrit dhe të pambrojturit në Kosovë.
Më 8 nëntor Universiteti i Prishtinës nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Programin ShER, Arsimin e Lartë dhe Kërkimin e Qëndrueshëm në Kosovë.
Memorandumi parashikon të krijojë një kornizë për bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe programit SHER për të mbështetur qëllimet akademike, kërkimore dhe strategjike të zhvillimit të Universitetit përmes aktiviteteve të përbashkëta, mbështetjes përmes ekspertëve dhe nismave për ngritjen e kapaciteteve.
Një javë pas nënshkrimit të memorandumit me Programin ShER, rektori Arben Hajrullahu u takua me ambasadorin e Austrisë në Kosovë Georg Shchnetzer.
Po në nëntor, rektori Hajrullahu mori pjesë edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku u fol edhe për ndihmë ndaj universiteteve të vendeve anëtare, ku përfshihet edhe Kosova.