Rektori Hajrullahu në Forumin „Ulpiana”: Universiteti i Prishtinës ka rol kyç për shoqëri, ekonomi e shtet

11 Dhjetor 2024
SHARE

Në fjalimin hapës në njërin nga panelet e diskutimit të Forumit „Ulpiana”, rektori Arben Hajrullahu tha se ndryshe nga shumë vende të tjera ku shtetet krijojnë universitete, Universiteti i Prishtinës kishte rol kyç edhe në krijimin e shtetit të Kosovës.

Në ditën e dytë të Forumit „Ulpiana”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, paneli diskutues me titullin „Çlirimi i Potencialit të Diasporës për Inovacion, Energji të Rinovueshme, Bujqësi dhe Qëndrueshmëri”, u zhvillua në Sallën e Senatit në Rektorat.

Rektori Arben Hajrullahu tregoi se Universiteti i Prishtinës është më i vjetri, më i madhi institucion i arsimit të lartë në Kosovë dhe i rendituri më së larti nga të gjitha universitetet e hapësirave shqiptare gjithandej.

Duke folur për diasporën kosovare, rektori Hajrullahu tha se nuk do t’ia kishim dalë pa të dhe pa ndihmën e saj, derisa shfaqi bindjen se njerëzit e diasporës mund të luajnë rol të rëndësishëm edhe në fushat e inovacionit, energjisë së rinovueshme dhe bujqësisë.

Rektori Hajrullahu përmendi edhe kthimin e trurit — të shkolluarit në diasporë që me dijen e tyre po ndihmojnë Universitetin e Prishtinës dhe shtetin e Kosovës. Deklaroi se të jesh larg, nuk do të thotë se nuk mund të kontribuosh për vendin e origjinës.

Panelin, ku mori pjesë rektori Hajrullahu, e drejtoi Jago Salmon, bashkëpunëtor i lartë hulumtues i Institutit të Zhvillimit të Jashtëm nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa pjesë e tij ishin edhe Andrews Nkansah, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kongresit të Diasporës Afrikane nga Gana, Mirana Rajoharison, presidente e ALEFA Diasporës nga Republika e Madagaskarit, Linda Xhaferi–Salihu nga Veprimi Global për Klimën dhe Agim Mazreku, këshilltar i jashtëm politik i Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Forumi „Ulpiana” që po zhvillohet për herë të dytë, ka për qëllim të studiojë dhe shfrytëzojë fuqinë transformuese të angazhimit të diasporës. Vitin e kaluar, ky forum mblodhi e bëri bashkë në Kosovë 300 pjesëmarrës dhe liderë të diasporës nga 21 vende.

Sot në botë jetojnë 281 milionë emigrantë, duke i bërë diasporat e vendeve të ndryshme, shumë të dobishme për shtetet nga janë larguar.