Universiteti i Prishtinës, një vend ku promovohen të drejtat e njeriut

11 Dhjetor 2024
SHARE

10 Dhjetori — Dita Ndërkombëtare e te Drejtave të Njeriut u shënua në Fakultetin Juridik me një bashkëbisedim të avokatit të popullit, Naim Qelaj, me studentë, përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile.

Pjesë e bashkëbisedimit, përveç Qelajt, ishin edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Igballe Rogova, ndërsa takimi u hap dhe u drejtua nga prodekani për çështje mësimore dhe të cilësisë në Fakultetin Juridik, Florent Muçaj.

Teksa foli për rolin e Universitetit të Prishtinës për edukimin në lidhje me të drejtat e njeriut dhe promovimin e këtyre të drejtave, rektori Arben Hajrullahu theksoi  rolin kyç që ka universiteti në promovimin e kulturës së të drejtave njerëzore.

Ai porositi studentët që, për të mos shkelur të drejtat e njeriut, të nisen nga parimi ynë kulturor: „Atë çfarë nuk ia dëshiron vetes, mos ia bëj tjetrit”.

Avokati i popullit, Naim Qelaj, në ditën më të rëndësishme për institucionin që e drejton, tregoi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Tha se duke pasur parasysh të kaluarën e rëndë e diskriminuese nëpër të cilën kaloi më herët populli i Kosovës, ka progres të jashtëzakonshëm në avancimin e të drejtave të njeriut.

Ai deklaroi se pavarësisht që konstatohet se Kosova ka ligje të mira, ato duhet të përmirësohen dhe të zbatohen plotësisht.

Aktivistja e të drejtave të njeriut dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, tha se ligjet na japin një jetë më të mirë, jo vetëm miratimi i tyre, por edhe zbatimi.

Rogova, iu tha studentëve të pranishëm se nuk po ju drejtohem si e ardhmja, por i quajti ata e tashmja e Kosovës.

Pastaj bashkëbisedimi vazhdoi me pyetje-përgjigje mes të pranishmëve dhe panelistëve.

Për aktivitete të përbashkëta mes Universitetit të Prishtinës dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, u pajtuan drejtuesit e këtyre dy institucioneve, Arben Hajrullahu dhe Naim Qelaj, në një takim që patën më 27 nëntor.

Më 10 dhjetor 2024 u mbushën plot 76 vjet nga miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.