Për të përbashkëtat me Greqinë që i tejkalojnë dallimet dhe kufijtë

13 Nëntor 2024
SHARE

Shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë Heleni Vakali me rektorin e Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu, në një takim njohës folën për bashkëpunimet mes universiteteve dhe afrimin e kulturave të të dy popujve.

Rritja e bashkëpunimit mes universiteteve të Greqisë dhe Universitetit të Prishtinës ishte tema për të cilën u fol kryesisht në takimin mes rektorit Arben Hajrullahu dhe shefes së Zyrës Ndërlidhëse Greke Heleni Vakali.

Po ashtu u diskutuan edhe mundësitë e marrëveshjeve të bashkëpunimit për shkëmbim të studentëve dhe personelit akademik, për projekte të përbashkëta shkencore dhe organizim të ngjarjeve kulturore e artistike.

Në takimin mes rektorit Arben Hajrullahu dhe shkëlqesisë së saj Heleni Vakali, u përmend edhe kursi i gjuhës greke në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës që nisi të ofrohet në Universitetin e Prishtinës në tetor 2024.

Me të gjitha këto aktivitete të së tashmes dhe planeve për të ardhmen, synohet rritja e kontakteve dhe njohja e ndërsjellë mes dy popujve më të vjetër të Evropës.