Rekomandimet e Komisionit të Përkohshëm për Çështjen e Vlerësimit të Studentëve janë bërë vendim i mbledhjes së sotme të Senatit të Universitetit të Prishtinës.
Senati, vendimin me të cilin do të mundësohet vlerësimi i vazhdueshëm i studentëve nëpërmjet SEMS-it, e mori njëzëri, pas diskutimeve të shkurtra rreth tetë rekomandimeve.
Me vendimin e Senatit, është vendosur zbatimi i plotë i nenit 114 të Statutit të Universitetit të Prishtinës, me të cilin rregullohet vlerësimi i studentëve dhe janë obliguar 14 njësitë akademike ta zbatojnë „Modulin për Vlerësimin e Studentëve”, të vendosur në platformën elektronike SEMS.
Vlerësimi i vazhdueshëm fillon sipas dinamikave të lëndëve mësimore, ndërsa me vendimin e sotëm të Senatit, duhet të përfundojë më 30 dhjetor për semestrin dimëror dhe më 31 maj për semestrin veror të çdo viti.
Vendimi i Senatit obligon njësitë akademike që për vlerësimin e studentëve — zbatimin e plotë të nenit 114 të Statutit, t’i raportojnë Menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës.
Për këtë arsye, do të ndryshohet e plotësohet edhe manuali i përdorimit të „Modulit për Vlerësimin e Studentëve”.
Pas miratimit të vendimit, Senati do të nxjerrë edhe një rregullore për vlerësimin e studentëve dhe mbajtjen e provimeve.
Të premten e javës së kaluar rektori Arben Hajrullahu, mbajti një konferencë për gazetarë, në të cilën tha se pa studentë nuk ka Universitet të Prishtinës.