Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike është nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Flensburgut të Gjermanisë, duke marrë shembull inovacionet që i solli botës gjiganti automobilistik „Mercedes Benz”.
Memorandumin e nënshkruan presidenti i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Flensburgut të Gjermanisë Sven Tode dhe rektori i Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu.
Memorandumi do të lehtësojë dhe përmirësojë bashkëpunimin akademik në fushën e trajnimit, hulumtimit, zhvillimit të kurrikulave, arsimit postdiplomik, sigurisë së cilësisë dhe shkëmbimit të studentëve, stafit akademik dhe administrativ.
Para se të nënshkruhej memorandumi, presidenti Sven Tode mbajti ligjëratën me temën „Si Mercedes Benzi e Formësoi Industrinë Automobilistike”.
Gjatë ligjëratës, profesori Tode shpjegoi mënyrat më të efektshme se si mund të bëhen projektet inovative në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.
Pastaj u prezantua një projekt-propozim inovativ për industrinë automobilistike, i realizuar nga bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Flensburgut të Gjermanisë.
Ngjarja e organizuar në Dhomën e Konferencave të Qendrës Inovative në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, u hap me fjalimin e dekanit të këtij fakulteti Mirlind Bruqi.
Të pranishmëve me fjalët e tyre iu drejtuan edhe rektori Arben Hajrullahu, Naim Jerliu, prorektori i UP-së për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, rektori i Kolegjit Gjerman të Teknologjisë në Tiranë Jorgaç Kaçani, zëvendësministri i Ekonomisë Getoar Mjeku dhe përfaqësuesi i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Christian Boetcher.
Për Universitetin e Prishtinës është shumë e rëndësishme lidhja e ekonomisë private dhe tregut të punës me shkollimin dhe punësimin e studentëve.
Për këtë qëllim, rektori Arben Hajrullahu më 4 nëntor 2024 mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku u fol mes tjerash edhe për interesimin që t’u ndihmohet universiteteve të vendeve anëtare të këtij forumi, pjesë e të cilit është edhe Kosova.
Edhe në fund të tetorit, në një konferencë të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me ndihmën e projektit austriak „Enabling Income Generation for the Poor” (EnInGeP), rektori Hajrullahu foli për domosdoshmërinë e hyrjes së energjisë dhe kreativitetit studentor në tregun e punës.