„NanoKos” dhe Universiteti i Prishtinës për ambient dhe mjekësi në konferencën ballkanike

04 Nëntor 2024
SHARE

Hulumtuesit dhe bashkëpunëtorët e projektit „NanoKos” të Universitetit të Prishtinës ishin pjesë e punëtorive dhe prezantimeve në edicionin e dytë të Konferencës Ndërkombëtare „NanoBalkan” (NB2024).

E organizuar në Tiranë, kjo konferencë shfaqi kërkimet dhe zhvillimet më të fundit në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë, disiplina shkencore të inxhinierisë që duke manipuluar atomet e molekulat, projektojnë, prodhojnë e përdorin struktura, pajisje e sisteme.

Në kuadër të konferencës, u mbajt edhe punëtoria e dytë e projektit „NanoKos”, që mblodhi së bashku studiues të shquar dhe studentët tanë të talentuar, të cilët prezantuan kërkime inovative dhe njohuri mbi nanomjekësinë dhe mjedisin e shëndetshëm, duke shfaqur arritjet dhe kontributet e tyre të vlefshme në fushën e nanoteknologjisë.

Folësit kryesorë të kësaj punëtorie ishin: Susanne Krauss-Etschmann nga Research Center Borstel, Gjermani; Ian Mudway nga School of Public Health, Imperial College London; Elinda Zeqiri nga ImmuONE; dhe Driton Vllasaliu nga King’s College London.

Universitetin e Prishtinës në këtë punëtori e përfaqësuan Mimoza Basholli, Avni Berisha dhe Armond Daci.

Në konferencën e Tiranës, mes tjerash, u zhvilluan edhe punëtori të përbashkëta Shqipëri — Japoni — Spanjë për nanoteknologjinë dhe Shqipëri — Itali — Spanjë për nanomjekësinë.

Projekti NanoKos, i financuar nga Bashkimi Evropian, u lansua në qershorin e vitit 2023 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ndërsa synon shtim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kapaciteteve hulumtuese me teknologjinë më moderne.