Në Panairin e 7 të Universiteteve Franceze, të zhvilluar në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, studentëve dhe të diplomuarve iu hapën mundësi studimi në shtetin francez.
Gjatë fjalimeve të tyre për këtë ngjarje, ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, gjetën të përbashkëta mes dy popujve dhe kulturave.
Ambasadori Guérot tha se i vjen keq që nuk e flet shqipen, gjuhën e shkrimtarit Ismail Kadare, që vdiq në korrik të këtij viti dhe një pjesë të jetës e kaloi në Francë. Ndërsa rektori Hajrullahu përmendi projektet e përbashkëta mes Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve franceze, si ai i gërmimit në Ulpianë.
Para studentëve dhe të diplomuarve të Universitetit të Prishtinës, përfaqësuesit e 10 institucioneve të arsimit të lartë të Francës prezantuan ofertat e tyre për studime.
Ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, lavdëroi sistemin arsimor të shtetit që përfaqëson.
„Sistemi universitar francez është shumë i larmishëm dhe ka shumë për të ofruar dhe ne jemi këtu për të ndihmuar ndërtimin e vizionit tuaj”, tha z. Guérot.
Pastaj, në hapësirat e Fakultetit Filologjik, u vendosën stenda me broshura dhe informata për secilin nga institucionet pjesëmarrëse franceze.
Panairi i Universiteteve Franceze ka ofruar edhe më parë studime në Francë për studentët e Universitetit të Prishtinës.
Nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian, që mbështet arsimimin, trajnimin, rininë e sportin, deri tash kanë përfituar më shumë se 6000 studentë kosovarë të Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve tjera të arsimit të lartë në Kosovë.