Mbahet Panairi i Universiteteve Franceze

01 Nëntor 2022
SHARE

Dje, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u organizua edicioni i pestë i Panairit të Universiteteve Franceze. Me moton “Studioni në Francë”, ky panair mblodhi përfaqësues të universiteteve franceze dhe zyrave të tjera që ndërlidhin studentët me mundësitë për zhvillim në karrierë. Panairi i studimeve në Francë mundësohet falë bashkëpunimit ndërmjet Qendrës për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë, Aleancës Franceze dhe Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Në panair morën pjesë këto universitete dhe zyre: Universiteti Le Mans, Universiteti Avignon, Universiteti Caen – Normandie, Universiteti Lyon 1, Universiteti CESI, Aleanca Franceze, Campus France, Erasmus +, Qendra për Zhvillim të Karrierës në UP, si dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Gjatë panairit, studentët dhe të diplomuarit në UP patën mundësi të informohen rreth programeve studimore që ofrojnë universitetet pjesëmarrëse, si dhe të marrin pjesë në sesionet informuese të Campus France, Alumni France dhe Erasmus +. 

Pas hapjes solemne të panairit, ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, vizitoi zyrën e Qendrës për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës, me ç’rast, me stafin e pranishëm, diskutuan mundësitë e bashkëpunimit përmes aktiviteteve tjera, me qëllim zhvillimin profesional të studentëve në fushën e përkthimit.