Përfaqësues të shumë institucioneve e organizatave vendase e ndërkombëtare, mediave dhe shoqërisë civile u mblodhën për të diskutuar rreth parandalimit të ngacmimeve seksuale në administratën publike.
Në disa panele diskutimi të konferencës së organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë brenda kryeministrisë, u fol për parandalimin e ngacmimeve seksuale, zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mekanizmat reagues kundër këtyre dukurive.
Në vitin 2020 qeveria miratoi politikën kundër ngacmimit seksual në organet e administratës publike në Kosovë, qëllimi i së cilës është krijimi i një ambienti pune pa diskriminim dhe ngacmime seksuale.
Universitetin e Prishtinës në këtë ngjarje e përfaqësoi profesoresha e Departamentit të Punës Sociale në Fakultetin Filozofik, Njomza Llullaku, e cila prezantoi gjetjet e studimit mbi ngacmimet seksuale në UP nga perspektiva e studentëve:
,,Universiteti i Prishtinës, për herë të parë, ka realizuar një studim gjithëpërfshirës në të gjitha 14 njësitë akademike të universitetit, ku kemi mbledhur perceptimet dhe përvojat e studentëve lidhur me ngacmimin seksual. Gjetjet e këtij studimi do të na mundësojnë të përmirësojmë dhe forcojmë politikat ekzistuese, si dhe të adresojmë në mënyrë më efektive nevojat dhe shqetësimet e studentëve për sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, tha Llullaku në konferencë.
Në hulumtimin që profesoresha Llullaku e bëri në bashkëpunim me zyrtaren për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimi, Drita Hyseni, u përfshinë 1035 studentë, 73.9% të të cilëve vajza/gra dhe 20.4% djem/burra, dolën përfundimet se 10.4% e të anketuarve kanë përjetuar ngacmime seksuale, ndërsa 31.0% e studentëve raportuan njohuri për rastet e ngacmimeve seksuale në kampus.
Sipas hulumtimit, nga të gjitha rastet e ngacmimeve seksuale të të anketuarve që i kanë përjetuar ato, 48.4% kanë ndodhur nga profesorë a asistentë, 34.4% nga studentë dhe 7.4% nga stafi administrativ.
Nga sondazhi ka dalë që 64.3% e të anketuarve kanë njohuri për rregulloren e Universitetit të Prishtinës që parandalon ngacmimet, ndërsa 40.4% e tyre i njohin mekanizmat e raportimit të ndonjë ngacmimi të mundshëm.
Rregullorja e Universitetit të Prishtinës për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi parashikon ndalimin dhe ndëshkimin e këtyre dukurive.
Sipas rregullores, viktimat e ngacmimeve mund t’i raportojnë rastet te zyrtari a zyrtarja për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimet seksuale dhe pastaj ato raste shqyrtohen nga Këshilli i Etikës.
Këshilli, më tutje, në rast të vërtetimit të ngacmimeve, mund ta paralajmërojë për suspendim, ta suspendojë përkohësisht pa pagesë ose t’ia ndërpresë marrëdhënien e punës shkaktuesit të ngacmimit, nëse ai është punonjës i Universitetit të Prishtinës.
Nëse shkaktuesi i ngacmimit, pas provave të Këshillit të Etikës, është student, ai mund të suspendohet, të përjashtohet për një vit ose përgjithmonë nga Universiteti i Prishtinës.
Përveç hulumtimit dhe rregullores, në njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës është zhvilluar fushatë informimi për mënyrën se si të raportohen ngacmimet e mundshme seksuale, nëpërmjet ligjëratave dhe broshurave.
Universiteti i Prishtinës i inkurajon të gjithë të punësuarit dhe studentët t’i parandalojnë ngacmimet seksuale dhe ngacmimet tjera, por edhe t’i raportojnë ato nëse i përjetojnë apo kanë njohuri se po ndodhin.