Kërkim i rrugëve për bashkëpunim me universitetet turke 

15 Tetor 2024
SHARE

Ambasada e Turqisë në Kosovë është ofruar të ndihmojë për të gjetur rrugë dhe mundësi që Universiteti i Prishtinës të lidhet me universitetet turke në fusha të interesimit të dyanshëm. 

Ambasadori i Turqisë në Kosovë Sabri Tunç Angili, në takim me rektorin e Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu dhe prorektoren Rozafa Basha, hulumtuan fushat ku mund të ketë marrëveshje bashkëpunimi mes institucioneve të arsimit të lartë të dy shteteve. 

Në takim, ambasadori Angili tha se universitetet turke mund të jenë të interesuara që Universiteti i Prishtinës t’u ndihmojë në studimet ballkanike me fokus Kosovën ose edhe për Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Trakyas në Edirne të Turqisë. 

Rektori Arben Hajrullahu tha se Universiteti i Prishtinës është i interesuar të bashkëpunojë me universitetet turke në fushat e shkencave, si p.sh. inxhinieri, ndërsa ambasadori Angili përmendi disa universitete turke që kanë parqe teknologjike të lidhura me tregun e punës dhe industrinë e mbrojtjes. 

Ambasadori propozoi që në hapësirat e Universitetit të Prishtinës me angazhimin edhe të Universitetit të Trakyas të krijohet një qendër për studimet e gjuhës dhe kulturës turke. 

Pas takimit me ambasadorin Angili, rektori Hajrullahu dhe prorektorja Basha pritën edhe znj. Fulya Aslan, koordinatoren e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim në Kosovë (TIKA). 

Javën që shkoi, në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës ishte edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë Keisuke Yamanaka, pasi ky shtet me anë të një projekti, do t’i dhurojë libra bibliotekës universitare.