Këndet Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës: Hapësira që ndërlidhin studentët tanë me botën

30 Shtator 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, së bashku me prorektoren për ndërkombëtarizim, prof. Arta Basha Jakupi, vizituan Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë si dhe disa nga këndet ndërkombëtare të sapokrijuara në pjesën më të madhe të fakulteteve të UP-së, në përfundim të mandatit. 

Këto kënde, janë konceptuar si hapësira ku promovohen mundësitë për shkëmbime ndërkombëtare, aktivitete kulturore dhe akademike që hapin horizonte të reja për studentët tanë. Janë pikërisht këto kënde që do të shërbejnë si urë ndërlidhëse ndërmjet studentëve të UP-së dhe universiteteve partnere nga e mbarë bota, duke ofruar informacione të rëndësishme për mobilitete, bursa dhe projekte ndërkombëtare.

"Ne besojmë se këto kënde ndërkombëtare do të gjallërojnë jetën studentore dhe do të jenë burim i frymëzimit për të gjithë ata që aspirojnë të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej kufijve të Kosovës," theksoi Rektori Qerimi, duke falënderuar të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e kësaj nisme.

Prorektorja Basha Jakupi shtoi: "Këndet ndërkombëtare janë më shumë se thjesht hapësira fizike – ato janë dritare drejt mundësive të panumërta që ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin personal e akademik të studentëve tanë."

Këto hapësira janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes menaxhmentit të UP-së, Zyrës për Mardhënie me Jashtë dhe fakulteteve përkatëse, të cilët kanë punuar me përkushtim për t'i sjellë këto kënde në jetë. 

Dizajnimi i këtyre këndeve është realizuar nga tre ish-studente të Fakultetit të Arkitekturës në UP: Urata Murseli, Rina Maliqi dhe Vlonë Matoshi, duke u treguar një shembull i bukur i angazhimit të talenteve lokale në projekte me përmasa ndërkombëtare.

Tri nga këto kënde janë realizuar me mbështetjen e projektit HEI '25, ndërsa të tjerat janë financuar nga buxheti i Universitetit të Prishtinës. Menaxhmenti i universitetit falënderon të gjithë dekanët e fakulteteve për mbështetjen e dhënë dhe uron që këto kënde të shndërrohen në qendra aktive të jetës ndërkombëtare dhe akademike brenda kampusit. Në këtë frymë bashkëpunimi dhe frymëzimi, UP vazhdon të forcojë rolin e tij si një urë ndërmjet studentëve dhe mundësive të shumta ndërkombëtare.