Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, ka bërë promovimin e botimit të numrit më të ri të revistës shkencore Kosova Journal of Surgery, vëllimi 8, nr. 1 që, njëherësh, është edhe publikimi i parë i përbashkët i Universitetit të Prishtinës dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi, theksoi rëndësinë e veçantë të këtij bashkëpunimi dhe publikimit të revistës shkencore.
“Kjo revistë përfaqëson më shumë se një përmbledhje artikujsh shkencorë. Ajo është një simbol i përkushtimit tonë për të avancuar shkencën e kirurgjisë dhe një platformë që u jep zë hulumtimeve të rëndësishme, duke prekur tema që shkojnë përtej kufijve tanë dhe që kanë ndikim global. Përmes punimeve që gjenden në këtë volum, ne ofrojmë të dhëna të vlefshme shkencore për përparimin e praktikave kirurgjike, kujdesit ndaj pacientit dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend”.
Ndërsa, kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, njëherësh dhe kryeredaktor i revistës “Kosova Journal of Surgery”, dr. Rifat Latifi, shprehu mirënjohjen ndaj punës së autorëve, duke theksuar se kjo revistë do të shërbejë si një burim i vlefshëm për gjithë shkencëtarët, duke u mundësuar qasje në zbulimet më të fundit shkencore dhe duke i ndihmuar ata të bëhen pjesë e hulumtimeve ndërkombëtare.
Shënimi i kësaj dite është i rëndësishëm sepse hap dyert për një bashkëpunim të qëndrueshëm mes dy institucioneve kryesore në fushën e arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit të kërkimeve shkencore dhe përmirësimit të praktikave kirurgjikale. Ky publikim shënon një moment të veçantë në rrugëtimin tonë drejt përparimit akademik dhe profesional, duke kontribuar në avancimin e shkencës dhe praktikave mjekësore në vendin tonë.