UP-ja ndan mirënjohje për stafin e angazhuar, që kontribuoi në procesin e rekrutimit në shërbimin civil

23 Shtator 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës mbajti një ceremoni për ndarjen e mirënjohjeve për stafin e angazhuar, duke vlerësuar kontributin dhe përkushtimin e tyre në rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të procesit të rekrutimit në shërbimin civil.

Në ngjarje morën pjesë rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, dhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. Arta Basha-Jakupi.

Rektori Qerimi shprehu falënderimet e tij të thella për stafin, duke theksuar rëndësinë e tyre në suksesin e projektit. “Jemi krenarë për bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për rolin kyç të stafit tonë në përmirësimin e procesit të rekrutimit në shërbimin civil. Kontributi juaj ka ngritur standardet dhe ka fuqizuar institucionet tona,” u shpreh ai.

Prorektorja Basha-Jakupi vlerësoi gjithashtu angazhimin e stafit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional. “Ky projekt dëshmon se çfarë mund të arrihet kur akademia dhe qeveria bashkëpunojnë. Mirënjohjet e sotme janë një simbol i përkushtimit dhe profesionalizmit që secili prej jush ka treguar,” theksoi ajo.

Ceremonia vjen si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit, të nënshkruar ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Memorandumi përfshin tre objektiva kryesorë, përfshirë angazhimin e stafit të UP-së në hartimin e fondit të pyetjeve të rekrutimit për shërbimin civil, me qëllim vlerësimin e njohurive dhe aftësive profesionale të kandidatëve.

Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në përmirësimin e procesit të rekrutimit dhe forcimin e institucioneve publike në Kosovë.