Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, ka pritur në një takim znj. Afërdita Krasniqi, specialiste për promovim dhe rekrutim të përfituesve të programit Fulbright në Institutin e Arsimimit Ndërkombëtar (Institute of International Education) në Nju Jork.
Ajo e menaxhon programin Fulbright Scholar Alumni Ambassador, drejton iniciativat ndërlidhëse me programin Fulbright Scholar në kampuset e SHBA-së dhe shërben si udhëheqëse për rajonin e Evropës dhe Euroazisë.
Universiteti i Prishtinës pranon në mënyrë të vazhdueshme një numër të studiuesve e profesorëve amerikanë që qëndrojnë për qëllime kërkimore dhe ligjërata në UP. Në përgjithësi, UP-ja është përfituesja kryesore e bursave dhe granteve të Qeverisë Amerikane për arsimin e lartë.
Në takim, rektori i UP-së ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e UP-së për të mirëpritur numër sa më të madh të profesorëve e studiuesve vizitorë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe për të ofruar lehtësitë e nevojshme për integrim më efektiv dhe qëndrim më produktiv.
Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar edhe për fushat me interes prioritar dhe strategjik për UP-në.
Znj. Afërdita Krasniqi është ish-studente dhe e diplomuar e Universitetit të Prishtinës, që ka shërbyer më herët në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.