Universiteti i Prishtinës është nikoqir i konferencës së Asociacionit Ndërkombëtar për Antropologjinë e Evropës Juglindore (InASEA), që mbahet çdo dy vjet në vende të ndryshme. Ceremonia hapëse e konferencës, e njëmbëdhjeta me radhë, është mbajtur në mjediset e bibliotekës universitare. Tema e konferencës këtë vit është “In, Out and In Between: Transnational and Internal Migration in Southeast Europe.”
Në këtë konferencë marrin pjesë rreth 110 studiues nga rajoni i Ballkanit, Evropa dhe më gjerë. Kësaj radhe UP-ja do të jetë vendi, ku do të diskutohet dhe debatohet për studimet e reja për migrimin në dhe jashtë Evropës Juglindore.
Në bazë të temave të paneleve dhe prezantimeve, për tri ditë sa zgjat konferenca, tema e migrimit do të trajtohet në shumë dimensione: Migrimin, diasporën, transnacionalizmin, identitetin, migrimin dhe politikën, migrimin e brendshëm, migrimin dhe ambientin, remitencat dhe zhvillimin ekonomik, migrimin e detyruar dhe refugjatët.
Në ceremoninë e hapjes, i pranishëm ishte edhe rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi. Në fjalën e tij, rektori i falënderoi pjesëmarrësit që kanë zgjedhur UP-në si hapësirë për zhvillimin e diskutimeve dhe të dialogut për tema kritike të interesit të përbashkët siç është migrimi i brendshëm dhe tejkombëtar në Evropën Juglindore. Rektori Qerimi, po ashtu, theksoi se kjo konferencë “është një dëshmi e rëndësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rolit të institucionit tonë në adresimin e sfidës dhe mundësive vazhdimisht të pranishme dhe gjithnjë në rritje që vijnë me aktin më të natyrshëm të njerëzve të lëvizjes përtej kufijve”.
Të pranishmit i përshëndetën edhe dekani i Fakultetit Filozofik, prof. Dashamir Bërxulli, zv/ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, znj. Liza Gashi, shefja e misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), znj. Anna Rostocka, dhe presidenti i InASEA, z. Robert Pichler. Ligjërata kyçe u mbajt nga profesori Russell King i Universitetit të Sussex-it në Mbretërinë e Bashkuar.
Universiteti i Prishtinës bën përpjekje të vazhdueshme që, përveç përgatitjes së kuadrove të shumtë, të cilët kanë bërë studime të rëndësishme nëpër universitete të ndryshme të botës, të jetë edhe një vend pritës dhe organizator i aktiviteteve shkencore, si kjo konferencë.
Në këtë konferencë, një numër i pjesëmarrësve është edhe nga stafi akademik i UP-së. Kjo është për t’u vlerësuar dhe mbështetur në vazhdimësi.
Konferenca është organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Departamenti i tij i Antropologjisë, si dhe është mbështetur materialisht, përveç nga vetë universiteti, edhe nga partnerët si Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Misioni i IOM-it në Kosovë.