Ambasadorja e Kanadasë, Jessica Blitt, e viziton UP-në – Ftesë UP-së pë forumin e partneritetit Kanada - Evropë

18 Shtator 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, e mirëpriti në takim ambasadoren e Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt.

Rektori Qerimi i uroi ambasadores mirëseardhje në UP, duke shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e institucionit për bashkëpunim të mëtutjeshëm në fusha të ndryshme me universitetet e Kanadasë, përfshirë përmes Ambasadës së Kanadasë në Kosovë. Rektori foli për bashkëpunimin e deritanishëm dhe nismat që janë në proces të finalizimit.

Rektori dhe ambasadorja Blitt diskutuan edhe për ide dhe forma alternative të zgjerimit të bashkëpunimit, që do të përfshinte marrëveshje të reja ndërmjet UP-së dhe universiteteve kanadeze, si dhe shkëmbime të studentëve dhe të stafit.

Rektori Qerimi, mes tjerash, theksoi se ndërkombëtarizimi është i domosdoshëm për vetë imazhin dhe fuqizimin institucional dhe është thelbësor për studentët, stafin dhe universitetet si tërësi, duke pasur efekte të pashembullta në shoqëritë tona individuale dhe në rajonin më të gjerë.

Nga ana e saj, ambasadorja Blitt ia paraqiti rektorit ftesën për pjesëmarrjen e një përfaqësuesi të UP-së, në forumin  e partneritetit Kanada - Evropë, që do të mbahet në Otava të Kanadasë.

Qeveria e Kanadasë ofron një numër bursash për institucionet e arsimit të lartë për një numër vendesh evropiane, ku perfshihet edhe Kosova.

E pranishme në takim ishte edhe znj. Ida Mahečiq Bajoviq, zyrtare për çështje politike dhe marrëdhënie me publikun.