Në Departamentin e Matematikës të UP-së, po mbahet punëtoria Njehsimi Shkencor dhe Matematika (Scientific Computing and Mathematics - SCAM)

25 Korrik 2024
SHARE

Nga data 22 korrik deri më 26 korrik, në Departamentin e Matematikës të Universitetit të Prishtinës, po mbahet punëtoria Njehsimi Shkencor dhe Matematika (Scientific Computing and Mathematics - SCAM). Kjo është punëtoria e parë e këtij lloji në vendin tonë, ku përqendrimi nuk është vetëm te shkenca kompjuterike ose vetëm te matematika, por ndërlidhja e këtyre dy fushave. Nga kjo punëtori po përfitojnë studentë të nivelit bachelor dhe master nga universitete të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria dhe nga Italia.

Instruktorët janë me përvojë nga bota akademike dhe nga industria. Njëri prej tyre, dr. Uran Meha, i ka kryer studimet themelore në Departamentin e Matematikës në UP dhe më pas ka doktoruar në Francë. Instruktorët e tjerë janë dr. Benjamin Dupont nga Franca dhe z. Lukasz Segiet nga Polonia.

Programi është relativisht origjinal, për lidhjen ndërmjet matematikës dhe shkencës kompjuterike, të ilustruar përmes nocioneve dhe zbatimeve të zgjedhura në mënyrë të kujdesshme. Synimi është që të ndërtohen ura ndërmjet këtyre dy fushave, të cilat lidhen ngushtë. Studentët e matematikës përfitojnë duke e parë një qasje matematike të shkencës kompjuterike si dhe anasjelltas, studentët e shkencës kompjuterike përfitojnë duke përdorur programim për të kuptuar dhe zgjidhur probleme matematikore.

Përveç instruktorëve të përmendur, pjesë e këshillit organizativ janë profesorët Kajtaz Bllaca, Qëndrim Gashi dhe Arbër Selimi.

Në një takim të veçantë, rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, ka pritur profesorët dhe instruktorët e punëtorisë, duke i falënderuar ata për idenë dhe realizimin. Me këtë rast, rektori Qerimi, po ashtu, ka diskutuar për mundësitë e vazhdimësisë afatgjatë të një programi të tillë, duke pasur parasysh interesimin dhe potencialin e jashtëzakonshëm të studentëve të universitetit dhe në përgjithësi të gjenerateve të reja.  

Punëtoria zhvillohet me përkrahjen e Universitetit të Prishtinës.