Ekipi i karateisteve të Universitetit të Prishtinës, i përbërë nga Fortesa Orana, Vlera Qerimi dhe Elmedina Istogu, ka rrëmbyer vendin e parë në Kampionatin Evropian Universitar, të mbajtur në Hungari.
Karateistet tona kanë mposhtur ekipet nga Azerbajxhani, Hungaria dhe në finale Turqinë, duke u renditur kështu në krye të kësaj gare.
Vajzat e UP-së kanë shkëlqyer edhe në garat individuale. Karateistja Fortesa Orana ka fituar medaljen e argjendtë në kategorinë Kumite +68 kg, si dhe Vlera Qerimi po ashtu ka fituar medaljen e argjendtë në kategorinë Kumite -68kg.
Ndërkaq, me medalje të bronztë u shpërblye Elmedina Istogu, e cila garoi në kategorinë Kumite -61kg. Fortesa, Vlera dhe Elmedina, gjatë garave të tyre, kanë mposhtur kundërshtaret nga Turqia, Austria, Gjermania, Bosnja e Hercegovina, Rumania, Sllovakia dhe Mali i Zi.
Pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra është mundësuar në bashkëpunim me Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës dhe Federatën e Karatesë të Kosovës.