Rektori merr pjesë në konferencën rajonale të rektorëve të Evropës Qendrore dhe Lindore – Diskutohet për ndërkombëtarizimin, inteligjencën artificiale dhe kërkimin

01 Korrik 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, ka marrë pjesë në konferencën rajonale të rektorëve të Evropës Qendrore dhe Lindore, të mbajtur në Bukuresht të Rumanisë. Konferenca është organizuar nga Agjencia Universitare e Frankofonisë (AUF). Pjesëmarrës në këtë konferencë kanë qenë përfaqësuesit e universiteteve anëtare nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Në konferencë është diskutuar për një sërë temash të interesit të përbashkët për institucionet e arsimit të lartë në këtë rajon, përfshirë në mënyrë të veçantë ndërkombëtarizimin, inteligjencën artificiale dhe sigurinë kibernetike, si dhe kërkimin dhe zhvillimin. Në mënyrë të veçantë janë shqyrtuar mundësitë e rritjes së shkëmbimeve dhe publikimeve akademike, përfshirë me mbështetjen e AUF-it, të universiteteve partnere dhe institucioneve të tjera.

Në këtë konferencë, rektori i UP-së, prof. Qerimi, ka mbajtur një fjalim për temën e ndërkombëtarizimit të institucioneve të arsimit të lartë në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Në fjalën e tij, rektori Qerimi ka thënë se “ndërkombëtarizimi është i domosdoshëm për vetë ekzistencën tonë institucionale dhe është thelbësor për studentët, stafin dhe universitetet si tërësi, duke pasur efekte të pashembullta në shoqëritë tona individuale dhe në rajonin më të gjerë”.

Ai ka shprehur bindjen se e ardhmja më e mirë qëndron në zotimin për të zgjeruar angazhimin dhe ndikimin ndërkombëtar përmes veprimeve strategjike që synojnë nxitjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor. “Si përfundim, besoj fuqishëm se ndërkombëtarizimi nuk është vetëm një imperativ strategjik, por një detyrim moral për institucionet e arsimit të lartë në botën e sotme.

Ndërkombëtarizimi na ndihmon të thyejmë barrierat, të nxisim mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të kultivojmë brezin e ardhshëm të qytetarëve dhe udhëheqësve globalë. Ndërsa vazhdojmë në këtë rrugëtim ndërkombëtarizimi, le të shfrytëzojmë mundësitë para nesh, që të përqafojmë dhe zgjerojmë diversitetin dhe të përpiqemi për përsosmëri në të gjitha ndërmarrjet tona”, ka deklaruar rektori.