Ekipi hulumtues i Departamentit të Antropologjisë, prirë nga kordinatori Prof. Asoc. Dr. Arsim Canolli, ka mbaruar fazën e parë të përnjohjes etnografike në projektin “Identiteti kulturor i minoriteteve etnike në Kosovë: studim antropologjik”.
Ky projekt i mbështetur nga Universiteti i Prishtinës synon të hulumtojë format e identifikimit, shprehjet kulturore dhe manifestimet e identitetit kulturor, social e politik të tri komuniteteve të vogla dhe më pak të studiuara të Kosovës, përkatësisht, të goranëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Hulumtimi i jetesës së këtyre komuniteteve në Kosovë është parë si nevojë, meqenëse Goranët, Boshnjakët dhe Kroatët shpesh cilësohen si komunitete “të heshtura”, “të përziera”, apo “të dyfishta”. Si për goranët e Gorës, në zonën e Prizrenit, ashtu edhe për boshnjakët e Zhupës, po ashtu afër Prizrenit, ekzistojnë stereotipizime, keqkuptime dhe interpretime hamendësuese për origjinën, kulturën, identitetin dhe integritetin e tyre si komunitet përbërës i mozaikut etnik të Kosovës. Në të njëjtën mënyrë, identifikohen edhe kroatët e Janjevës dhe Letnicës së Vitisë.
Projekti në fjalë synon të kuptojë identitetin e këtyre grupeve etnike ashtu si perfomohet në jetën e përditshme të këtyre komuniteteve. Ekipi hulumtues ka filluar vizitat përnjohëse me anëtarë të këtyre komuniteteve gjatë muajve prill e maj. Janë realizuar vizita etnografike në Brod, Restelicë, Letnicë, Janjevë, Mushnikovë e Drajçiq. Këto dhe fshtëra të tjera do të jenë edhe në fokus të vizitave të tjera etnografike, intervistave e punës hulumtuese (gjatë mujaëve në vijim) për t’i njohur këto komunitete etnike të Kosovës.