Profesoresha e punës sociale nga Universiteti i Indianës e viziton UP-në

11 Qershor 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, e priti sot në një takim profesoreshën për punë sociale, Erika Galyen, nga Universitetit i Indianës në SHBA.

Erika Galyen, profesoreshë e asociuar klinike e udhëzimit dhe bashkërendimit në terren, kryesisht merret me hulumtimin në disa fusha si: Puna Sociale dhe Menaxhimi i Fatkeqësive dhe Emergjencave, Ndërhyrja në Krizat në Internet, Edukimi në Internet dhe Praktikat e Mësimdhënies. Ajo gjithashtu shërben si administratore në terren për programin Bachelor dhe Master në Punë Sociale.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin mes dy universiteteve, ku studentët dhe stafi do të kenë mundësi të shkëmbejnë përvoja të ndryshme si dhe për rëndësinë e edukimit.

Rektori Qerimi e vlerësoi lart bashkëpunimin me Universitetin e Indianës. Sipas tij, bashkëpunimi me Universitetin e Indianës shërben si një mundësi për të përparuar në fushën e punës sociale, studentët mund të kenë shkëmbime të vlefshme të ideve dhe përvojave. Një përqendrim i veçantë do të jetë te programet e praktikës së studentëve.

Ata shkëmbyen përvojat institucionale nga universitetet e tyre dhe rektori e informoi më shumë rreth programeve dhe mundësive që ofron UP-ja.

E pranishme në takim ishte drejtoresha e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, Lumnije Bajrami, dhe profesoresha Vjollca Krasniqi, të cilat e vlerësuan këtë bashkëpunim, nga i cili mund të përfitojnë më së shumti studentët, duke qenë më të përgatitur për sfidat dhe mundësitë në karrierën e tyre.