Universiteti i Prishtinës mbajti me sukses Konferencën Vjetore të Fakultetit Ekonomik me temën "Mbyllja e Hendekut Gjinor në Kosovë"

23 Maj 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës mbajti me sukses Konferencën Vjetore të Fakultetit Ekonomik me temën "Mbyllja e Hendekut Gjinor në Kosovë", më 21 maj 2024. Kjo ngjarje shënon një moment historik, pasi është hera e parë që universiteti ka filluar dhe zbatuar Planin e Veprimit për Barazi Gjinore për periudhën 2023/24-2025/6. Konferenca është organizuar me mbështetjen e Agjencisë për Barazi Gjinore dhe UN Women dhe synoi të adresojë një prej çështjeve më urgjente në shoqërinë tonë.

Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. dr. Arta Basha-Jakupi, udhëhoqi konferencën dhe theksoi rëndësinë e këtij plani dhe përpjekjet e universitetit për të promovuar barazinë gjinore, duke filluar zbatimin e Planit të Veprimit Gjinor. Kjo konferencë shënoi një moment historik si një nga iniciativat pioniere në Kosovë.

Konferencën e përshëndetën dr. Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, prof. dr. Driton Balaj, dekan i Fakultetit Ekonomik, Edi Gusia, u.d. drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit, Vlora Tuzi-Nushi, shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë.

Pjesëmarrës në konferencë ishin akademikë të njohur ndërkombëtarë që punojnë në këtë çështje dhe ndanë përvojat me studiuesit, profesorët dhe studentët e UP-së, si prof. Emeritus Nick J. Adnett nga Universiteti Staffordshire, Mbretëria e Bashkuar, dr. William Bartlett, nga London School of Economics and Political Science, Mbretëria e Bashkuar, dr. Maryna Tverdostup, nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, Austri, prof. Ruby Lee, Universiteti Shtetëror i Floridës, SHBA, Maria Vassilakous, ish-nënkryetare e Komunës së Vjenës, prof. Claudia Tarantola nga Universiteti i Pavias, Itali, dhe shumë të tjerë. Përveç kësaj, folën edhe profesorë të UP-së që shpalosën hulumtimet e tyre mbi këtë aspekt, si dhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, dr. Jehona Lushaku.

Kjo konferencë nuk ishte vetëm një platformë për të ndarë njohuri dhe përvoja, por edhe një dëshmi e përkushtimit të Universitetit të Prishtinës për të avancuar barazinë gjinore dhe për të krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës për të gjithë. UP-ja mbetet e përkushtuar për të ndjekur dhe zbatuar planet dhe iniciativat që promovojnë barazinë gjinore në të gjitha fushat e jetës akademike dhe përtej saj.
Universiteti i Prishtinës shpreh mirënjohje për kontributin e prof. dr. Ardiana Gashit, ekspertes në fushën e barazisë gjinore në UP, si dhe për përkushtimin e Edi Gusisë, u.d. drejtoreshë ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore/Zyrën e Kryeministrit, dhe Vlora Tuzi-Nushit, shefes së Zyrës së UN Women në Kosovë, në përmbushjen e qëllimeve të barazisë gjinore.