Studentët e Fakultetit Juridik të UP-së përfunduan me sukses programin e punës praktike në Gjykatën Themelore në Prishtinë

13 Maj 2024
SHARE

21 studentë të Fakultetit Juridik të UP-së kanë përfunduar me sukses punën praktike në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Programi i punës praktike realizohet në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës së Universitetit të Prishtinës, në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për aftësimin profesional të studentëve përmes praktikës, ku gjykata ofron mundësi të punës praktike për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Ky është grupi i parë i studentëve të vendosur në praktikë në gjykatë, vazhdim i bashkëpunimit disavjeçar me Universitetin e Prishtinës për programin e punës praktike dhe aftësimit profesional të studentëve.

Gjykata Themelore dhe UP-ja mbesin të përkushtuara për përgatitjen profesionale të  gjeneratave të ardhshme të vendit dhe ofrimin e mundësive për zhvillim dhe aftësim profesional dhe të karrierës për studentët dhe të diplomuarit e universitetit.