UP-ja vazhdon të jetë nikoqir i studiuesve të njohur amerikanë, që janë përfitues të bursave Fulbright Scholar

30 Prill 2024
SHARE

Prorektorja për ndërkombëtarizim, prof. Basha-Jakupi, së fundmi u takua me dr. Ruby (Pui Wan) Lee, përfituese e programit prestigjioz Fullbright, e cila aktualisht është pritur nga Universiteti Prishtinës, për angazhimet e saj në hulumtim dhe mësimdhënie.

Prorektorja Basha-Jakupi shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar në qëndrimin e dr. Lee në UP dhe gjithashtu falënderoi vendimin e saj për të zgjedhur Kosovën dhe institucionin tonë për qëllimet e saj akademike.

Dr. Lee është një profesoreshë e dalluar në Shkollën e Marketingut në Fakultetin e Biznesit në Universitetin Shtetëror të Floridës.

Dr. Lee, jo vetëm që mban këtë pozicion të nderuar, por gjithashtu shërben si drejtoreshë e programeve ndërkombëtare të fakultetit, mbikëqyrëse e shkëmbimeve globale të studentëve dhe programeve të studimeve jashtë vendit, të drejtuara nga stafi pedagogjik.

Përgjatë karrierës së saj, që përshkon një dekadë, dr. Lee ka fituar shumë çmime hulumtuese nga organizatat prestigjioze.

Ajo do të prezantojë disa nga gjetjet e hulumtimit të saj gjatë qëndrimit në UP në konferencën e ardhshme të organizuar nga UP-ja, në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore/Zyrën e Kryeministrit dhe me mbështetjen e UN Women në Kosovë, e titulluar "Mbyllja e hendekut gjinor në Kosovë".

Vendimi i dr. Lee për të ardhur në Kosovë u ndikua nga ish-studentja e UP-së, dr. Adelina Emini, përderisa qëndrimi i saj ndihmohet nga prof. asoc. dr. Mjellma Carabregu. UP-ja shpreh mirënjohje për qeverinë amerikane për mundësitë e ofruara për të sjellë profesionistë të njohur të SHBA-së në Kosovë, kështu duke kontribuar në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve tona.