Organizohet akademi përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së profesoreshës Shqipe Bajçinca-Brestovci

03 Prill 2024
SHARE

Akademia u organizua nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit - UP, Komiteti Olimpik i Kosovës - KOK, Federata e Hendbollit e Kosovës - FHK dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport - MKRS.

Universiteti i Prishtinës, sot, në një mbledhje komemorative, shënoi një ditë zie dhe pikëllimi, për të nderuar jetën dhe veprën e së ndjerës profesoreshë Shqipe Bajçinca - Brestovci. 

Akademia përkujtimore u organizua për të kujtuar pedagogen, senatoren dhe sportisten e dalluar, që la pas një trashëgimi të pasur akademike dhe sportive.

‘’Ceremonitë e tilla komemorative na krijojnë ndjenjë dhimbjeje, por edhe kujtimi e nderimi,” tha rektori Qerimi. ‘’Sot është një ditë për të reflektuar mbi ndikimin e jashtëzakonshëm që profesoresha Bajçinca-Brestovci la mbrapa si pedagoge, studiuese dhe sportiste.’’ 

“Profesoresha Shqipe nisi rrugëtimin e saj të mësimdhënies, duke u bërë pjesë e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, para më se dy dekadash dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka ofruar shembullin më të mirë të një profesoreshe të kompletuar, një punëtore të palodhshme sikur edhe të një figure të një intelektualeje e studiuese të shquar në fushën e edukimit fizik dhe sportit”, deklaroi në fjalën e tij rektori i UP-së.

Ajo njihet për përkushtimin e saj të palëkundur ndaj arsimit dhe sportit, duke ofruar një shembull të profesoreshës së kompletuar dhe një figure intelektuale të respektuar.

Vepra dhe kontributi i saj do të mbeten gjithmonë të gdhendura në kujtesën e komunitetit akademik dhe sportiv, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat dhe mendjet e atyre që e njohën dhe u frymëzuan nga ajo.

Përpos familjarëve, të pranishëm ishin edhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Çeku, dekani i FEFS-it, prof. Selimi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës z. Krasniqi, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, z. Saraçini, profesorë, dhe të pranishëm të tjerë.

Universiteti i Prishtinës dhe komuniteti më i gjerë akademik vazhdojnë të ndjejnë humbjen e profesoreshës Bajçinca-Brestovci, por janë të vendosur të nderojnë kujtimin e saj përmes vazhdimit të punës dhe idealeve që ajo përfaqësonte.