Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në UP mbahet ligjëratë me temën “Dinamika të ndryshme – Gratë që kultivojnë ekosistemin shkencor”

08 Mars 2024
SHARE

Kjo ligjëratë, e mbajtur nga dr. Bea Maas nga Universiteti i Vjenës, u bazua në disa njohuri të ndërlidhura nga konteksti i barazisë, për të diskutuar në mënyrë kritike argumente të gjera, perspektiva dhe qasje konkrete, për të promovuar diversitetin, barazinë dhe përfshirjen në akademi në nivele të ndryshme.

Ligjërata u organizua nga Fakulteti i Filologjisë, OEAD, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane dhe Ambasada Austriake në Prishtinë.

I pranishëm në ligjëratë ishte edhe rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, i cili mbajti një fjalë rasti, ku ndër të tjera theksoi se sot mblidhemi për të festuar shpirtin e paepur dhe kontributin e çmuar të gruas në shkencë. “Udhëtimi ynë nëpër sferat e dijes është formuar thellësisht nga shkëlqimi, qëndrueshmëria dhe inovacioni i grave që guxuan të sfidonin status quo-në”.

Ai shprehu zotimin e universitetit dhe kërkoi angazhim për të nxitur gjithëpërfshirjen, për të ofruar mentorim dhe për të larguar barrierat sistematike që pengojnë pjesëmarrjen e plotë të grave në shkencë. “E ardhmja e inovacionit shkencor varet nga përkushtimi ynë kolektiv për të siguruar që çdo shkencëtare aspiruese të përballet me mundësi të barabarta, njohje dhe respekt”.

Më tej, rektori deklaroi se “Jemi të lumtur për mundësinë për të diskutuar me dr. Bea Maas rreth shtyllave që i forcojnë themelet e përparimit në shkencë—diversitetin, barazinë dhe përfshirjen. Në hapësirën e madhe të dijes, forca jonë kolektive qëndron në mozaikun e këndvështrimeve dhe përvojave që pasurojnë përpjekjet tona shkencore”.