UP inauguron laboratorin STEAM në Fakultetin e Edukimit, për të avancuar cilësinë e mësimdhënies

23 Shkurt 2024
SHARE

Rektori Qerim Qerimi dhe dekani Blerim Saqipi, sot, inauguruan laboratorin modern ‘Edukimi për STEAM’ në Fakultetin e Edukimit. Ky laborator, i pari i këtij lloji për qëllime arsimore, do të shërbejë për përgatitjen e mësimdhënësve të rinj në drejtim të zhvillimit të kreativitetit në procesin mësimor përmes zbatimit të teknologjisë në mësim dhe integrimit lëndor. Kjo nismë edhe reflekton transformimin nga modelet tradicionale të mësimit drejt modeleve krijuese si domosdoshmëri e kohës.

Laboratori ka pajisje robotike, pajisje të procesimit të gjuhës natyrale, mikrokontrollues të riprogramueshëm, aparaturë CNC, pajisje virtuale, printer 3D, syze të mençura, pajisje EEG, kompjuter për gjenerimin e materialeve të hapura mësimore etj.

Rektori Qerimi tha se nismat si kjo “janë në funksion të qasjes së universitetit për modernizim dhe avancim të praktikave, duke u përafruar me universitetet modele në Evropë”.

Përmes këtij laboratori, studentët do të kenë mundësinë të zhvillojnë shkathtësinë e dizajnimit të aktiviteteve mësimore që synojnë kultivimin e mendimit kritik përmes integrimit të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, artit dhe matematikës në procesin mësimor. 

Studentët, pra mësimdhënësit e ardhshëm, përmes përvojës në këtë laborator, do të mësojnë qytetarinë digjitale, zbatojnë mjetet e prezantimit, shkëmbejnë tregime digjitale, dizajnojnë sfida të ndryshme robotike dhe prezantojnë prototipe të gjeneruara nga idetë e tyre.

Mësimdhënësit e ardhshëm pra do të jenë të përgatitur për të zbatuar mësimdhënie moderne, të orientuar në nxënësin dhe në forma atraktive.

Dekani Saqipi shtoi se Fakulteti i Edukimit “po cakton një standard të ri të përgatitjes së mësimdhënësve dhe me nismat si kjo po bëhet tranzicioni i nevojshëm drejt mësimdhënies cilësore në fakultet e tutje në sistemin shkollor”.

Në këtë mënyrë, Fakulteti i Edukimit poashtu po modelon praktika, të cilat duhet të zhvillohen në shkollat e Kosovës në vitet e ardhshme dhe si ndihmë këtij procesi do të ofrojë edhe zhvillim profesional për mësimdhënësit e shkollave për integrim sa më të lehtë të këtyre koncepteve moderne në punën me nxënës.

Universiteti i Prishtinës po demonstron rolin e tij aktiv në zhvillimin e shoqërisë dhe aftësimin e gjeneratave të reja në raport me nevojat dhe sfidat.