UP prezanton programin për zhvillimin e shkathtësive - UPskilling

07 Shkurt 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës sot ka prezantuar UPskilling, një program inovativ për zhvillimin e shkathtësive, përfshirë trajnime në lidership, menaxhim, shkathtësi të veçanta të industrisë dhe riaftësim për ndryshim në karrierë.

Kjo iniciativë synon të krijojë një lidhje të fortë mes universitetit dhe biznesit, për të adresuar nevojat e fuqisë punëtore të kualifikuar në Kosovë.

Në tryezën e diskutimit, përfaqësues të ndryshëm nga universiteti, biznesi dhe industria shprehën mbështetjen e tyre për këtë nismë, duke theksuar rëndësinë e trajnimeve praktike dhe bashkëpunimit mes akademisë dhe tregut.

Në fjalën e tij, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, theksoi se nisma UPskilling është projektuar si një strukturë arsimore, e përgjigjur ndaj nevojave të ndryshme të fuqisë së punës së sotme.

Ndërsa nënvizoi se UP-ja synon të jetë koherente me universitetet tjera botërore, duke krijuar lidhje të forta mes akademisë dhe industrisë. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është organizimi i programeve për trajnime në shkathtësi specifike.

Nga ana tjetër, prorektorja për zhvillim, buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin privat, Pranvera Breznica-Selmani, tha se kjo nismë shënon fillimin e një udhëtimi transformues drejt një të ardhmeje më të ndritshme për arsimin dhe zhvillimin e fuqisë punëtore.

Sipas saj, në këtë kohë të zhvillimeve dinamike në tregun global të punës dhe rritjes së shpejtë të avancimeve teknologjike, nevoja për mësim të vazhdueshëm dhe avancim të aftësive është shumë e rëndësishme.

Rezultatet e pritshme nga nisma Upskilling janë: Krijimi i fuqisë punëtore, me shkathtësi lidershipi dhe njohuri specifike të industrisë, forcimi i lidhjes mes universitetit dhe komunitetit të biznesit/industrisë, duke krijuar oferta trajnuese, të cilat i adresojnë kërkesat e industrisë në mënyrë efektive, si dhe punësueshmëri më e gjerë për pjesëmarrësit dhe prodhimi i forcës punëtore më të përshtatshme dhe të kualifikuar për punëdhënësit.