Rektori Qerimi mirëpriti studentët e ekipit përfaqësues në garën botërore për të drejtën ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhin

02 Shkurt 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, ka pritur në takim studentët e Fakultetit Juridik të UP-së, të cilët do ta përfaqësojnë Universitetin e Prishtinës në garën “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”.

Kjo është gara më e madhe botërore në fushën e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit. E pranishme në takim ishte edhe prof. Donikë Qerimi, trajnere ekipit.

Kjo garë, tashmë e përvitshme, u jep mundësi studentëve në zgjerimin e njohurive në fushën e drejtësisë dhe zhvillimin e shkathtësive profesionale e kërkimore, si dhe paraqet një mundësi unike për përfaqësimin e Fakultetit Juridik dhe të vetë UP-së në arenën ndërkombëtare.

Rektori Qerimi i falënderoi studentët për përkushtimin e tyre të pashoq, suksesin e jashtëzakonshëm të treguar në gara paraprake si dhe përfaqësimin e dinjitetshëm të UP-së, që do ta bëjnë edhe në të ardhmen.

Rektori gjithashtu shprehu gatishmërinë që t’u ofrojë mbështetje materiale studentëve që do ta përfaqësojnë UP-në në këtë garë, që tradicionalisht mbahet në Vjenë, dhe në para-garat që këtë vit do të organizohen në Amsterdam dhe Lisbonë.