Universiteti i Prishtinës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik të Tiranës

12 Janar 2024
SHARE

Në ambientet e universitetit Politeknik të Tiranës, rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi dhe dekani i FIEK, prof. Isak Shabani sot me datë 12.01.2024,  nënshkruan Memorandumet e Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës - Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Universitetin Politeknik të Tiranës - Fakulteti i Teknologjisë së Informacioni dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, u mirëpriten nga rektori prof. Andrea Maliqari, dekanja  prof. Elinda Meçe dhe dekani prof. Astrit Bardhi, me qëllime të inkurajimit dhe forcimit të partneritetit akademik, zgjerimin dhe përforcimin e programeve mësimore për përfitim reciprok dhe nxitja e bashkëpunimit ndërmjet të dy universiteteve, veçanërisht në fushat e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. 


Studentët dhe stafi i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike i Universitetit të Prishtinës nga tani e tutje, do të mund të përfitojnë nga mundësitë të cilat i ofron ky Memorandumi i Bashkëpunimit për mobilitet të dyanshëm të studentëve, shkëmbimin e stafit akademik për aktivitet e përbashkëta inovative, mësimore, projekte kërkimore-shkencorë, ndarja dhe shfrytëzimi i laboratorëve, bashkë-mentorim në tezat e doktoraturave dhe mbështetje akademike në ofrimin e programeve të nivelit të doktoratave.


Në të dy Memorandumet e Bashkëpunimit në fokus do të kenë:

• Monitorimet e përbashkëta në studimet e doktoratave (PhD),
• Pjesëmarrjen në komisione të vlerësimit dhe mbrojtje të temave PhD dhe Master,
• Mobilitete të studentëve dhe mësimdhënësve,
• Aplikimin e përbashkët në projekte profesionale, ngritje të kapaciteteve dhe projekte shkencore vendore dhe ndërkombëtare,
• Shfrytëzimi i laboratorëve të përbashkëta për hulumtime shkencore dhe studime të doktoratës,
• Bashkëpunim në bashkautorësi të punimeve shkencore.