Rektori Qerimi priti në takim të diplomuarin e Fakultetit Ekonomik të UP-së, që ka doktoruar në Universitetin prestigjioz të Princeton-it

21 Dhjetor 2023
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, bashkë me dekanin e Fakultetit Ekonomik, prof. Driton Balaj, pritën në një takim Pëllumb Reshidin, i diplomuar në Fakultetin Ekonomik të UP-së, i cili në vitin 2022 ka mbaruar studimet doktorale në Universitetin prestigjioz të Princeton-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas përfundimit të studimeve themelore në UP, Pëllumbi ka vijuar dhe përfunduar studimet e masterit në Central European University në Hungari dhe një program të dytë masteri në Universitetin e Princeton-it.

Me përfundimin e doktoratës në Princeton, Pëllumb Reshidi është i angazhuar si ligjërues dhe merret me kërkime shkencore në Duke University, gjithashtu, në Shtetet e Bashkuara.

Në takim, rektori ka nënvizuar potencialin e jashtëzakonshëm të studentëve dhe vlerën e veçantë të të diplomuarve të UP-së, në fuqizimin dhe modelimin e të ardhmes së universitetit.

Në këtë drejtim, është diskutuar për mundësinë e përfshirjes së dr. Pëllumb Reshidit në programin veror ndërkombëtar të UP-së, dhe në krijimin e ofrimin e programeve të reja inovative të trajnimit dhe arsimimit ekzekutiv.