UP nën përkrahjen e projektit HERAS Plus ka bërë lansimin e udhëzuesit për zhvillimin e kurrikulit për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, udhëzues ky që mundëson krijimin e një kurrikule të mirëstrukturuar që fokusohet në të menduarit kritik, nxitjen e inovacionit dhe përgatitjen e studentëve për nevojat e tregut.
Në fjalën e tij, rektori Prof. Dr. Qerim Qerimi theksoi rëndësinë e krijimit të dokumentacioneve të tilla që kontribojnë në përsosmërinë akademike.
"Ky udhëzues nuk është thjesht një dokument; është një testament për vizionin tonë kolektiv – një plan që fuqizon komunitetin tonë akademik të formësojë përvojat transformuese të të mësuarit."
Ndërsa, z. Aqim Emurli- udhëheqës i ekipit në Heras Plus theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me UP-në dhe përkushtimin qe HERAS ka në ofrimin e mbështetjes për sigurimin e cilësisë.
Prof. Dr. Ass. Njomza Llullaku - Prorektore për Akreditim, Cilësi të Mësimit dhe Çështje të Studentëve theksoi se krijimi i udhëzueve të tillë shërben në fuqizimin e stafit akademik dhe arritjen e cilësisë.
"Krijmi i udhëzuesit të tillë mundëson që të krijohen kurrikula dhe përvoja arsimore që tejkalojnë kufijtë tradicionalë, duke nxitur një kulturë përsosmërie dhe inovacioni. Udhëzuesi është dëshmi e përkushtimit tonë për të nxitur një përvojë arsimore që ushqen të menduarit kritik, kreativitetin dhe inovacionin".
UP falënderon të gjithë që kanë kontribuar në krijimin e këtij udhëzuesi, zyrën për zhvillim akademik për punën dhe iniciativën, kordinatorët për zhvillim akademik dhe prodekanë që mbështetet në vlerat e integritetit akademik, kërkimit shkencor dhe përkushtimit të vazhdueshëm për avancimin e njohurive.