Njëzet e gjashtë studentë u certifikuan për pjesëmarrje në punëtorinë treditore (22-24 Nëntor 2023), e cila u organizua nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës dhe në partneritet me ambasadën e SHBA-së në Kosovë dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si OSBE, GIZ, USAID.
Gjatë këtyre ditëve dinamike, studentët përvetësuan mjetet esenciale për ndjekjen e karrierës në organizata ndërkombëtare, duke mësuar si të kërkojnë vende të lira pune, si të përgatisin CV dhe aplikime perfekte dhe si të bëjnë zgjedhje të informuara për karrierën.
Punëtoria për zhvillimin e karrierës me organizatat ndërkombëtare është aktivitetit i llojit të veçantë që vjen si iniciativë e organizatave ndërkombëtare në Kosovë dhe ka synim t’u sigurojë pjesëmarrësve aftësitë dhe njohuritë përkatëse të nevojshme për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe për të planifikuar karrierën e tyre me organizatat ndërkombëtare.
Në përmbylljen e këtij aktiviteti, organizatorët u pajtuan për vazhdim të bashkëpunimit në organizimin e këtij lloji të aktivitetit për studentët e UP-së.