Rektori Qerimi merr pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit QUADIC

06 Qershor 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit QUADIC, "Zhvillimi cilësor i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe menaxhimit të projektit", i cili u bashkëfinancua nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij hyrëse, rektori Qerimi theksoi rëndësinë e këtij projekti, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në arsimin e lartë në Kosovë gjatë tre viteve e gjysmë të fundit të zbatimit të tij. Gjithashtu projekti në fjalë ka qenë një sukses në drejtim të nxitjes dhe inkurajimit të bashkëpunimit në arsimin e lartë dhe të qënit një komponent integral i institucionit.

Në përfundim të fjalës së tij, rektori Qerimi foli për përkushtimin për ndarjen e praktikave më të mira dhe si mësim i nxjerrë nga ky projekt është përqafimi i bashkëpunimit. Ai përmendi gjithashtu se si projekte të tilla e bëjnë më të arritshëm dhe të pranueshëm bashkëpunimin me universitetet dhe institucionet e tjera.

Në konferencën përmbyllëse të projektit QUADIC, dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Assoc. Dr. Dashamir Bërxulli ju drejtua me një fjalë për projektin dhe arritjet e tij.

Duke theksuar rëndësinë e projektit në fjalën e tij, koordinatori i projektit, Prof. Assoc. Dr. Dukagjin Leka, vuri në dukje se projekti përfshinte universitete nga Kosova dhe Shqipëria si dhe ato nga Franca, Italia, Sllovenia dhe Bullgaria, duke përfshirë Universitetin Teknik të Sofjes, Universiteti Cote D'Azur në Francë, Universiteti i Lubjanës  si dhe Universitetin për të Huaj në Perugia, Itali. Koordinatori i projektit theksoi se në përgjithësi, ky projekt ka arritur 95% të synimeve të saj.

Në këtë konferencë, rektori i Universitetit Publik "Kadri Zeka", Prof. Dr. Bajram Kosumi dhe U.d. Rektori i Universitetit të Gjakovës "Fehmi Agani", Prof. Ass. Dr. Zeqir Hashani renditën disa të arritura të këtij projekti, ndër të cilat më kryesoret theksuan krijimin e kontakteve të reja me shumë universitete dhe thellimin e bashkëpunimit. Më pas rritja e numrit të projekteve ndërkombëtare nga 4 në 12, si dhe aplikimi në shumë  projekte të reja. Ndërkaq, rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Prof.ass. dr. Mentor Alishani foli për qëllimin parësor të projektit që është përmirësimi i cilësisë dhe forcimit të arsimit të lartë, rritja e ndërkombëtarizimit të universitetit dhe bashkëpunimi me të gjithë partnerët e konsorciumit. Në fund, rektori Alishani nënvizoi se do të punohet për ngritjen e mëtejshme të cilësisë së arsimit të lartë.

Në konferencën përmbyllëse të projektit QUADIC, znj. Mimika Dobroshi, shefe e Zyrës Erasmus+ në Kosovë, theksoi se programi Erasmus+ do të shërbejë si çelës për ndërkombëtarizimin duke punuar me institucionet e arsimit të lartë dhe të rinjtë në përputhje me objektivat e projektit për të rritur statistikat për bashkëpunimin ndërkombëtar duke përdorur njohuritë dhe praktikat më të mira të katër partnerëve të BE-së të përfshirë në projekt.

Në seksionin e fundit të mbylljes, prorektori i Universitetit Teknik të Sofjes theksoi komponentin e spikatur të këtij projekti, që është përfshirja e të rinjve. Ai vuri në dukje se sot 43-45 studentë nga Kosova studiojnë në nivelin e doktoraturës në universitetet bullgare dhe se në shkollën verore të këtij viti që do të organizohet në Bullgari do të përfshihen 23 studentë dhe 5 profesorë nga Kosova, që është një numër i konsiderueshëm.  Sipas prorektorit, është e dobishme për studentët dhe profesorët të marrin pjesë në projekte ndërkombëtare që kanë ndikim në ndërkombëtarizimin e universitetit.