I veçantë ishte sot mëngjesi për rektorin Qerim Qerimi. Ai e nisi ditën duke ngrenë mëngjes me studentët në Mensën e Studentëve të UP-së. Gjatë vizitës atje, rektori u shoqërua nga përfaqësues të studentëve, ndërkaq takoi edhe drejtorin e Qendrës së Studentëve, z. Fatmir Sfishta, si dhe z. Fahri Osmanin, drejtor i Mensës.
Rektori u interesua për kushtet që u ofrohen studentëve në këtë qendër dhe nevojat për ofrim të shërbimeve sa më cilësore për studentët tanë, ndërkaq u shpreh i befasuar me shërbimin që pranoi në mensë. Ai diskutoi me studentët rreth kërkesave që ata i kanë, duke i inkurajuar që të ndajnë sugjerimet e tyre në mënyrë që të ofrohen shërbime edhe më cilësore në të ardhmen.
"Bashkëpunimi juaj është thelbësor për të realizuar ndryshimet që dëshirojmë të shohim. Unë besoj në aftësitë tuaja dhe jam këtu për t'u siguruar që kërkesat tuaja të dëgjohen dhe të realizohen”, tha rektori.
Ndërkaq, drejtori Sfishta tha që synojnë që përherë të sigurojnë cilësi, duke ofruar ushqim të freskët, të bazuar në standarde të larta nutritive, por edhe higjienike. “Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e një ushqimi të shëndetshëm për rritjen, zhvillimin dhe performancën e studentëve tanë. Prandaj, jemi të përkushtuar për të përmirësuar vazhdimisht cilësinë dhe shërbimin në mensë," tha ai.
Studentët e pranishëm e vlerësuan pozitivisht qasjen e rektorit dhe kohën e ndarë nga ana e tij, për të qëndruar sa më pranë studentëve e për të diskutuar rreth çështjeve që i preokupojnë ata në përditshmëri.