Fjala e rektorit Qerimi me rastin e Inaugurimit të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të UP-së

04 Mars 2024
SHARE

I nderuari z. kryeministër,

E nderuara znj. ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

E nderuara znj. ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,

I nderuari dekan Shala i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike,

Të nderuar prorektorë, të nderuar prodekanë, të nderuar profesorë,

Të dashur studentë,

Është kënaqësi shumë e veçantë t’ju ofroj mirëseardhje në këtë qendër inovacioni e ndërmarrësie me rëndësi të jashtëzakonshme e vlera të pamatshme për të sotmen dhe të ardhmen e universitetit, por edhe të krijimit origjinal dhe ndërmarrësisë në kontekstin universitar e atë më të gjerë shoqëror.

Qendror në diskutimin e sotëm për dijen e lartë është përcaktimi dhe përkufizimi i misionit të një universiteti modern. Ka shumë pyetje për atë se çfarë është e çfarë duhet të jetë një universitet i tillë.

Por çfarëdo që të jenë pyetjet dhe sido që të jenë përgjigjet, premisa themelore është të kuptuarit dhe të pranuarit se sistemi universitar sot – marrë në tërësinë e tij (këtu e jashtë) – është subjekt i një transformimi gjithnjë e më të shpejtë, më të madh e më themelor në dimensionet e qëllimit apo të misionit, të përmbajtjes, të pedagogjisë e të metodologjive.

Teknologjia me të gjitha manifestimet e saj, ndryshimet shoqërore (si në kuptimin e pritjeve ashtu dhe botëkuptimeve të ndryshueshme), lëvizjet demografike, mundësitë e sfidat ekonomike, kanë krijuar shumë pyetje pa përgjigje fikse, sfida të shumta dhe, sigurisht, mundësi për të qenë shumë inovativë në rimodelimin dhe konsolidimin e një kulture arsimore që duhet të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme ndaj ndryshimeve. Prandaj, sfidat e sotme duhen parë edhe si mundësi: mundësi për të qenë kreativë, për të qenë të përgjegjshëm dhe për të qenë reagues ndaj ndryshimeve të shpejta e të shumanshme.  

Por, pavarësisht të gjithave, ka një konsensus të gjerë të mendjeve dhe institucioneve universitare se inovacioni është një pjesë integrale e veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë. Sipas një studimi të Asociacionit Evropian të Universiteteve – një organizatë ombrellë e më shumë se 800 institucioneve të arsimit të lartë në Evropë – 74 për qind e universiteteve e kanë inovacionin pjesë të strategjisë ose misionit të tyre.

Për të reflektuar këtë kuptim, universiteti e ka konceptuar misionin e tij në statutin e ri si një qendër të ekselencës dhe inovacionit, që “ndërvepron me zhvillimet shoqërore dhe globale në funksion të zhvillimit të vlerave të dakorduara të shoqërisë dhe zhvillimit të demokracisë, ekonomisë së vendit dhe konkurrueshmërisë ndërkombëtare”. Aspirata jonë e natyrshme kësisoj është të qenit konkurrues me të tjerët në arenën më të gjerë të arsimit të lartë. 

Prandaj, kjo Qendër e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe investimi e laboratorët, që po i inaugurojmë sot, janë dëshmi e zbatimit të këtij kuptimi e misioni të ri dhe të patjetërsueshëm të universitetit, për të mishëruar në veprimtarinë e tij premtimin për inovacion dhe zotimin për zhvillimin e shpirtit ndërmarrës në ekosistemin e tij dhe shoqërinë më të gjerë, të cilës i shërben.

Për të bërë këtë të mundur, ne jemi mbështetur në partneritetin e palëkundur dhe përkrahjen e çmueshme të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për çfarë jemi thellësisht mirënjohës.

Ju faleminderit!