Fjala e rektorit Qerimi me rastin e pritjes së studentëve të rinj në vitin akademik 2023/24

02 Tetor 2023
SHARE

Të dashur studentë të rinj,

Mirë se vini në Universitetin e Prishtinës!

Të nderuar prorektorë, dekanë dhe profesorë,

Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ju, e në veçanti për studentët e rinj që po fillojnë rrugëtimin e tyre jetësor profesional e akademik. Në këtë ditë feste të nisjes së vitit akademik 2023/24, dëshiroj t’ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë të gjithë juve qe na keni besuar, duke e zgjedhur Universitetin e Prishtinës si institucion për formimin tuaj profesional dhe akademik. Ju na keni besuar të ardhmen tuaj, prandaj suksesi juaj është përparësia jonë absolute.

Kjo ditë shënon fillimin e një udhëtimi transformues për secilin prej jush. Si rektor, mbushem me gëzim kur shoh kaq shumë fytyra të ndritura dhe të gatshme të nisin këtë udhëtim të dijes, të zbulimit dhe rritjes.

Rruga që sapo keni nisur, do të jetë e mbushur me sfida, por edhe me shumë mundësi. Përqafoni çdo përvojë, mësoni nga çdo sfidë dhe, mbi të gjitha, mos ndaloni kurrë së besuari në vetvete. Kujtojani vetës se po ecni nëpër të njëjtat hapësira e korridore si shumë të tjerë pranë jush, të cilët kanë dhënë kontribute të rëndësishme për shoqërinë tonë, e për të gjithë ne janë frymëzim i përditshëm. Ju jeni kapitulli tjetër i trashëgimisë sonë të pasur, dhe ne besojmë në potencialin tuaj!

Të dashur studentë,

Përveç studimeve në drejtimet që ju keni zgjedhur, në kampusin tonë do të gjeni edhe shumë qendra dhe zyre, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin tuaj akademik, profesional dhe intelektual.

Për avancimin e karrierës suaj, Qendra për Zhvillim të Karrierës, do të jetë pranë jush duke ju orientuar në profesion.

Misioni ynë janë studentët kreativë, e më ide inovative, të cilët mund të jetësojnë idetë e tyre në kuadër të VentureUP apo edhe në Qendrën e Inovacionit të UP-së.

Ndërkaq, për ju që dëshironi të eksploroni dhe të përjetoni studimet në kampuse të ndryshme të botës, ne kemi mbi 500 partnerë ndërkombëtarë, universitete këto ku mund të kryeni një semestër studim, të ndiqni trajnime ose merrni pjesë në shkolla verore, e përplot mundësi të tjera të cilat i bashkërendon Zyra për Marrëdhënie me Jashtë.

UP-ja është e mbushur edhe më plot zyra e qendra të tjera, me të cilat do të keni mundësi të njiheni edhe përmes kolegëve tuaj, të cilët kanë organizuar vizita të planifikuara në kampusin tonë. Për më tepër, UP-ja punon vazhdimisht në avancimin e shërbimeve që ofron. Për të qenë më pranë jush dhe komunitetit, sot kemi lansuar blogun e UP-së. Shfletoni insights.uni-pr.edu, për të kuptuar më të rejat nga shkenca e karriera, të ofruara për ju, nga profesorët dhe stafi ynë profesional, e mbase edhe për të dhënë kontributin tuaj.

Studentët tanë, së bashku me profesorët dhe stafin administrativ, përbejnë pjesën më të çmueshme të komunitetit tonë, i cili është i gatshëm t’ju mbështesë dhe udhëzoj në çdo hap të këtij rrugëtimi.

Dhe përgjatë sfidave që do të kaloni, rikujtojani vetës që përveç fatit tuaj, ju keni në dorë edhe fatin e kësaj shoqërie. Ju jeni mjekët e ardhshëm, ju jeni mësuesit, juristët, gazetarët, studiuesit, filozofët, psikologët, sportistët, linguistët, matematikanët, shkencëtarët, ekonomistët, artistët e kësaj shoqërie. Ju jeni liderët e saj të ardhshëm. Andaj, punoni fuqishëm, që në të ardhmen të jeni shembulli që të rinjtë që do të vijnë pas jush, do të duan ta ndjekin.

Më lejoni të nënvizoj se secili prej jush do ta bëjë UP-në më të mirë e më të fuqishme duke qenë ata që jeni, me talentin dhe origjinalitetin tuaj; duke ndarë idetë e perspektivën tuaj, dhe duke kontribuar në misionin tonë kolektiv të avancimit të dijes dhe gjetjes së të vërtetës.

Gjatë studimeve, kushtojini vëmendje të veçantë mësimeve dhe ideve që ju nxisin dhe ju përmbushin. Kushtojini vëmendje lumturisë, kënaqësisë dhe mirëqenies tuaj. Mos merrni asgjë si te mirëqene. Jini të gatshëm që të rishqyrtoni pikëpamjet dhe botëkuptimet tuaja. 

Universiteti nuk është një ndalesë aksidentale për pjesën tjetër të jetës tuaj. Është vetë jeta juaj. Prandaj, jetojeni atë; mirëprisni transformimin tuaj, por përcaktoni qëllime; jini të hapur ndaj ideve të të tjerëve, por studiojini vetë. Përfundimisht, mbani në mend se misioni juaj e i yni është që të eksplorojmë e të krijojmë, në përpjekje të përhershme për të zgjeruar kufijtë e dijes e për të bërë vendin dhe universin tonë një hapësirë më të mirë e më të lumtur. 

Për të përfunduar, dua t’ju uroj përsëri secilit prej jush për vendin që keni fituar në Universitetin e Prishtinës. Kjo është dëshmi e punës tuaj, e përkushtimit dhe pasionit.

Sot, festoni, sepse jeni bërë pjesë e institucionit që paraqet bazën kryesore te kërkimit shkencor në vend. UP-ja, nga sot, është edhe universiteti juaj, profesorët më eminentë janë ata që do të ndihmojnë në përgatitjen tuaj, ju tashmë jeni pjesë e universitetit lider. URIME! Ti je UP. Ti tashmë je suksesi!