Fjalimi i rektorit në hapjen e Seminarit të 41-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

14 Gusht 2023
SHARE

Të nderuar mysafirë dhe miq të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare,

I nderuari nikoqir, drejtor i seminarit, prof. Bardh Rugova,

E nderuara ministre Nagavci, i nderuar ministër Çeku, ambasadorë dhe përfaqësues të shteteve mike të Kosovës,

Akademikë të nderuar,

E nderuara dekane Sejdiu-Rugova,

Bashkedrejtori e Seminarit në Tiranë,

Të dashur seminaristë, qe me praninë tuaj në këtë festë shkencore e kulturore të albanologjisë po e ktheni Prishtinën dhe Universitetin e Prishtinës në qendër të diskutimeve dhe të veprimtarisë akademike për dy javë me radhë.

Ky Seminar që organizohet nga Fakulteti i Filologjisë është i veçantë jo vetëm për Fakultetin Filologjik, por edhe për vetë Universitetin, për Prishtinën dhe për Kosovën si tërësi: është ngjarja me e madhe shkencore, kulturore dhe arsimore e albanologjisë dhe e Kosovës për albanologjinë këtu e 49 vjet me radhë.

Ky Seminar konsiderohet një dritare e hapur e lidhjes së albanologjisë me botën e jashtme, është ura e krijimit të miqësive dhe e marrëdhënieve e marrëveshjeve të reja, është auditoriumi ku janë paraqitur shumë rezultate të rëndësishme shkencore dhe janë diskutuar, shqyrtuar e testuar tema të mëdha që kanë të bëjnë me gjuhën, letërsinë dhe kulturën, po ashtu edhe të kaluarën e saj monumentale dhe jam i bindur—duke gjetur inspirim në dedikimin dhe praninë tuaj sot—të ardhmen e saj të ndritur.

Edhe ky vit nuk bën përjashtim. Për më tepër, përmbajtja e programit të këtij viti është e një përmase të veçantë vëllimore, si në cilësi, ashtu edhe në sasi.

Shumë nga profesorët dhe akademikët e pranishëm këtu sot janë vetë themelet e këtij institucioni ikonik. Dhe suksesi i Seminarit mbështetet pikërisht në këto shtylla të forta, në ata që e kanë ideuar një krijesë kaq të mrekullueshme të lidhjes së gjuhës e kulturës shqiptare me botën.

Por, suksesi i Seminarit mbështetet edhe në vazhdimësinë e punës dhe të suksesit të tij ndër vite e dekada, në idenë e bartjes së dijes e të rezultateve shkencore gjeneratave të studentëve e studiuesve që pasojnë. Stabiliteti i këtij institucioni është vetë stabiliteti i albanologjisë kudo në botë, me theks të veçantë në Prishtinë dhe në Tiranë. 

Sigurisht, nuk është ndërmarrje aspak e lehtë që të mblidhen në një vend e në një kohë i tërë ky ansambël botëror, që përbën e përfaqëson shkencën e albanologjisë në botë. Përtej mbështetjes së domosdoshme financiare, pa një përkushtim dhe ndërveprim të drejpërdrejtë të drejtorisë me qendrat e studimit të albanologjisë në botë dhe pa një bashkëpunim me autoritetet shkencore ndërkombëtare të albanologjisë në botë, ne nuk do të mund të kishim një program kaq të pasur e dinjitoz. Në këtë drejtim, i shpreh mirënjohjen institucionale më të thellë të gjithë kolegëve e kolegeve për përkushtimin e palëkundur dhe përpjekjet e palodhshme, jo vetëm për të ruajtur, por edhe zhvilluar e përsosur më tej një traditë kaq të vlefshme të universit tonë akademik e institucional.

Prandaj, ne jemi sot këtu për ta përkrahur këtë institucion ikonë dhe për të transmetuar një mesazh te të rinjtë e të rejat tona në lidhje me vlerën e rëndësinë e pamatshme, por dhe të ardhmen e ndritur e të pazëvendësueshme të dijeve gjuhësore, kulturore e letrare—pavarësisht të gjitha gejtjeve e transformimeve teknologjike të botës përreth nesh.

Pra, në një kohë kur leximi, e sidomos një lexim i një lloji më të veçantë, profesional e akademik, mund të mos jetë në nivelet më të dëshirueshme dhe sido që teksti merr formë në ditët e sotme të bashkë-ekzistencës sonë me teknologjinë, përmes këtij Seminari e ndodhive si kjo, ne insistojmë dhe do të insistojmë se krijimi profesional e akademik dhe leximi e studimi i tij është i pazëvendësueshëm; se vlefshmëria përmbajtësore e kuptimore e tekstit dhe traditës, pra e gjuhës, e kulturës dhe e literaturës është e përherhshme dhe është universale. 

Unë kam besim të thellë që paraqitjet dhe diskutimet gjatë sesioneve që do të zhvillohen në dy javët e ardhshme do të nxjerrin në pah çështje të rëndësishme studimore dhe do të shpërfaqin rezultate mahnitëse kërkimore, duke vënë në pah të arriturat dhe vlerat tona shkencore, që unë mendoj se janë tërësisht të krahasueshme dhe të matshme me të tjerët.

Të tilla forume janë jo vetëm një mundësi për të ruajtur një traditë të çmueshme e për të eksploruar dhe zhvilluar më tej dijet shqiptare, por edhe një metodë për të shpërfaqur potencialin dhe rezultatin tonë përpara një komuniteti më të gjerë akademik botëror dhe njëkohësisht për të absorbuar dhe ndëvepruar me atë që krijohet në pjesë të tjera të botës, në funksion të universalizimit edhe më të madh të një tradite, një gjuhe e një kulture me përmasa gjeografikisht më të lokalizuar, por në thelb me tipare krejtësisht ndërkombëtare.