Fjalimi i Rektorit në 50-vjetorin e themelimit të Departamentit të Orientalistiës

23 Maj 2023
SHARE

I nderuar Ambasador Angëllë,

I nderuar Ambasador Hifzi,

I nderuar z. Matoshi,

I nderuar imam Tërnava,

Shumë të dashur studentë,

Të nderuar profesorë,

Zonja dhe zotërinj,

 

Ndjehem i lumtur që sot jam pjesë e festës së 50 vjetorit të themelimit të Departamentit të Orientalistikës, i cili është njëri nga departamentet më të vjetra të Universitetit të Prishtinës.

Përvjetorët si ky na rikujtojnë shumë arsye se për çfarë duhet të jemi krenarë. I themeluar qysh në vitin 1973, jo shumë vite pas themelimit të vetë Universitetit, Departamenti i Orientalistikës ka arritur të jetësoj një mori veprash shkencore dhe kulturore, si dhe ka arritur të arsimojë orientalistë, të cilët gjatë këtyre viteve kanë dhënë kontribute të vlefshme për zbardhjen e trashëgimisë orientale.  

Sot, më tepër së kurdo tjetër, është thelbësore të kuptojmë dhe të vlerësojmë kulturat e tjera për të krijuar një botë më të bashkuar dhe më paqësore. Departamenti i Orientalistikës, për pesë dekada, shërben si një urë lidhëse ndërmjet kulturave, duke ndihmuar studentët dhe studiuesit të zhyten në botën e Orientit, dhe kështu të marrin një perspektivë më të gjerë mbi të kaluarën dhe të ardhmen tonë.

Në këto 50 vite, Departamenti i Orientalistikës ka arritur të realizojë sfida të mëdha dhe ka bërë përparime të konsiderueshme në fushën e hulumtimit dhe mësimdhënies. Me stafin e tij të shkëlqyeshëm akademik dhe përkushtimin e studentëve të talentuar, departamenti ka prodhuar një mori studiuesish të shquar. Në këtë Departament kanë punuar profesorë të respektuar, siç janë: Prof. dr. Feti Mehdiu, Prof. dr. Ismail Ahmedi, Prof dr. Mehdi Polisi, Prof. dr. Iljaz Rexha, prof. dr. Muhamed Mufaku, Prof. dr. Abdulla Hamidi, Prof. dr. Isa Memishi dhe të tjerë, të cilët sot është dita që në emër të Rektoratit, t’i falenderojmë për punën e bërë dhe t’ia vlerësojmë kontributet e tyre shkencore dhe akademike. Me anë të studimeve të tyre të thelluara, ata kanë çuar përpara njohuritë tona mbi gjuhët, historinë dhe kulturën e rajonit tonë dhe të Lindjes së Mesme.

Në këtë jubile, përveç që të festojmë për të arriturat, duhet edhe të planifikojmë të ardhmen, duke eksploruar  mundësi të reja për përgatitjen e orientalistëve të rinj në premisat e këtij departamenti gjysmëshekullor.

Për mua, kërkimi i dijes dhe kuptimit të gjerave qendrojnë në thelb të karakterit të universitetit tonë, andaj të punojmë së bashku për të avancuar vizionin tonë, për një institucion që shërben si qender lidere për kërkim, inovacion, i cili kultivon kreativitetin dhe zhvillon idetë origjinale.

Më lejoni që t’ju uroj për 50 vjetorin e themelimit të Departamentit dhe të shpreh përkrahjen për juve të dashur mësimdhënës dhe studentë të këtij departamenti.

Ju falemnderit!