Fjalimi i Rektorit Qerimi në promovimin e revistës “Intro”

13 Prill 2023
SHARE

Të dashur studentë,
Të nderuar profesorë,
Të nderuar partnerë dhe media të pranishme,  

Sot, përmes kësaj ceremonie simbolike, po shënojmë një punë semestrale të studentëve të Departamentit të Gazetarisë. Si rektor i këtij Universiteti dhe ish-gazetar, jam shumë i lumtur që sot jam me ju, e njashtu, pafundësisht krenar me punën tuaj.

Universiteti i Prishtinës është madhështor dhe të tillë e bëjnë pikërisht studentët e tij, të cilët kur synimet dhe angazhimin e tyre e përafrojnë me atë të profesorëve, e të njëjtat përqafohen edhe nga struktura të tjera brenda Universitetit, dalin të tilla rezultate, si kjo punë që sot po e promovojmë.

Kjo revistë, përveç që e vë në pah kreativitetin, vullnetin dhe aftësitë e mira në shkrim e hulumtim të studentëve tanë, trajton edhe një temë shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, e cila e gjendur në epokën e informacionit, ka nevojë të jashtëzakonshme për edukim medial.

Si prijës në shumë nisma të tjera, UP-ja me trajtimin e edukimit medial, jo vetëm në kuadër të kësaj reviste, por edhe në kuadër të studimeve e aktiviteteve të tjera jashtëkurrikulare, po trajton një fushë jo të hulumtuar mjaftueshëm në vend dhe rajon. Njëherësh, studentët dhe stafi ynë po e dëshmojnë edhe një herë gatishmërinë dhe potencialin e tyre, për të orientuar shoqërinë në ballafaqimin me ndryshimet rapide që po ndodhin si pasojë e ekspansionit teknologjik të dekadave të fundit.

Duke qenë që vlerësimi im për gazetarinë dhe komunikologjinë buron dekada më parë, i ndërlidhur edhe me preferencat dhe përvojat personale, ku në një periudhë të jetës edhe kam ushtruar profesionin e gazetarit, jam i vetëdijshëm për rëndësinë e fjalës dhe të informacionit në shoqërinë tonë dhe jam përherë i lumtur kur UP-ja shënon avancim në këtë fushë. Tani, të dashur studentë, departamenti juaj, me përkrahjen e Rektoratit, ka shënuar një hap tutje në ofrimin e mundësive të reja për praktikim të profesionit tuaj, duke themeluar Qendrën Mediale të UP-së. Përmes kësaj qendre, ju do të kaliteni edhe më tepër në profesionin tuaj, duke u angazhuar në shkrimin e blogjeve, realizimin e diskutimeve përmes podcast-it tashme të lansuar, emisioneve në kuadër të RadioUP-së, e mundësive të tjera që kjo qendër do të ofroj për ju.

Sot, pa dashur ta zgjas më tepër, dua po ashtu të përgëzoj të gjithë ata që kanë punuar për ta bërë këtë revistë realitet, profesorët nga departamenti i gazetarisë dhe sponsorin e këtij botimi.

Njëherësh, dëshiroj që sot, së bashku me ju, të festojmë për këtë të arritur, por edhe të shikojmë para drejt sfidave të reja dhe asaj që duhet të hulumtojmë dhe arrijmë në të ardhmen. Pra, le ta festojmë për sukseset e shënuara, dhe të shikojmë drejt të ardhmes me shumë entuziazëm dhe vetëbesim!

Përgëzime!