Fjala e Rektorit Qerimi në Inagurimin e Qendrës së parë Profesionale Frankofone në UP

24 Mars 2023
SHARE

I nderuari Drejtor i Agjencisë universitare të Frankofonisë, z. Ketata

I nderuari Ambasador i Francës, z. Guerot

E nderuara koordinatore e Qendrës Frankofone, 

Të dashur profesorë dhe studentë, 

 

Është kënaqësi e veçantë që sot t’ju përshëndes nga kjo hapësirë bashkëkohore dhe e rimodeluar e Universitetit të Prishtinës, e cila që nga sot do të mbajë emrin e Qendrës Profesionale Frankofone. 

 

Universiteti i Prishtinës ka shtatë vite që është bërë pjesë e Agjencisë Universitare Frankofone, e cila bashkon afër njëmijë universitete, kolegje, e qendra të ndryshme të arsimit të lartë. Që nga atëherë, UP-ja ka themeluar QendrënUniversitare Frankofone në të cilën janë zhvilluar aktivitete, të cilat kanë hapur UP-në për botën e frankofonisë, duke sjellë përvojat e tyre në universitetin tonë, por njëherësh, duke mundësuar për studentët dhe stafin përvoja të reja në vendet partnere. 

 

Në veçanti, sot jam i privilegjuar që në Universitetin e Prishtinës po e mirëpresim z. Ketata, drejtor i Agjencisë Universitare të Frankofonisë, si dhe ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Guerot, të cilët i falënderoj për partneritetin e kamotshëm dhe të vazhdueshëm. 

 

Ndërkombëtarizimi është një ndër komponentët në të cilët Universiteti i Prishtinës synon të ngrisë kapacitetet e saj, por njëherësh integrimi rajonal dhe ndërkombëtar është edhe prioritet më i gjerë shtetëror. Qendra që po festohet sot, synon që në pesë vitet e ardhshme, të fuqizojë frankofoninë në dy fusha kryesore: ngritjen e kapaciteteve të Departamentit të Gjuhës Frënge, si dhe zhvillimin e shkëmbimeve shkencore në frëngjisht në Universitetin e Prishtinës.

 

Përmes Qendrës Profesionale Frankofone, ne do të kemi mundësinë e shkëmbimeve të stafit dhe studentëve tanë, zhvillimin e projekteve hulumtuese, organizimin e simpoziumeve dhe konferencave, përforcimin profesional trajnues në këtë departament, e të tjera mundësi të cilat ky bashkëpunim do t’i shpërfaq. 

 

Dua t’ju përgëzoj të gjithë juve që keni punuar në modernizimin e këtyre hapësirave dhe në krijimin e mundësive më të dobishme për studentët tanë. Njëherësh, dua të konfirmoj mbështetjen e palëkundur të menaxhmentit tëUniversitetit të Prishtinës për realizimin me sukses të objektivave të Qendrës, të cilat do të jenë në të mirë të studentëve tanë, por edhe të komunitetit. 

 

Përgëzime! Faleminderit!